VIDEO-SYRI TV/ Rruga e kombit si ‘varrezë makinash’, 15 makina përfshihen në disa aksidente

Mungesa e mirëmbajtjes dhe hedhjes së kripës në rrugë e ka kthyer Rrugën e Kombit këtë të premte në një varrezë makinash. 3 aksidente janë shënuar në aksin Morinë-Milot, ku në fshatin Gëziq të Mirditës në aksident u përfshinë 15 automjeteve. Në Rrëshen një autobus u përmbys në rrugë, teksa një aksident u regjistrua dhe në afërsi të Rubikut.

Nga SYRI TV

Rruga e Kombit këtë të premte është kthyer në një makth për drejtuesit e mjeteve, pasi kompania kontraktore nuk kishte marrë asnjë masë për ngricën që kishte pushtuar asfaltin.

Për pasojë janë regjistruar 3 aksidente të rënda, mes të cilëve një në fshatin Gëziq, ku në aksident janë përfshirë 15 automjete që janë përplasur me njëra tjetrën për shkak të ngricës së këtë rrugë, ku nuk ishte hedhur asnjë gram kripë nga kompania që ka mirëmbajtjen e rrugës.

Aksidentit nuk i ka shpëtuar edhe një kompani e kompanisë Salillari që mirëmban rrugën, teksa nga përplasja masive e makinave kanë mbetur disa të plagosur, që janë dërguar kryesisht në Spitalin e Rrëshenit.

Në afërsi të Rrëshenit, një autobus është përmbysur në rrugën e kombit për shkak të rrëshqitjes  në rrugë. 6 persona kanë mbetur të lënduar dhe janë dërguar në Spitalin  e Mirditës.

Aksidenti i tretë është shënuar në afërsi të Rubikut, ku disa automjete janë përplasur për shkak të ngricave në rrugë.

Policia e Shtetit pas këtyre ngjarjeve ka zbarkuar në rrugë, teksa dhe kompania për mirëmbajtjen e rrugës pas aksidenteve ka nisur hedhjen e kripës në rrugë.

Policia apelon që drejtuesit e mjeteve të ecin me kujdes dhe të përdorin zinxhirë.