VIDEO-SYRI TV/ Ngrica, prezencë akulli në rrugë dhe reshje bore në Shkodër, Kukës e Korçë
Ulja e temperaturave ka rikthyer reshjet e borës në zonat malore dhe prezencën e akullit në disa akse rrugore. Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes të shtuar në qarkullim ndërsa deri më tani nuk raportohet për akse rrugore të bllokuara.
Nga SYRI TV
Rënia e temperaturave ka sjellë praninë e reshjeve të borës, të parat për vitin 2026. Në Shkodër, zonat turistike malore si Thethi, Lepusha dhe Vermoshi, mëngjesin e sotëm janë zgjuar nën petkun e dëborës. Në Bashkinë e Malësisë së Madhe, në qytetin e Koplikut vijojnë reshjet e dëborës, me trashësi rreth 3 centimetër.
Në Bashkinë Fushë-Arrëz, reshjet e dëborës janë me intensitet të ulët, me trashësi 5–8 centimetër. Në Bashkinë e Pukës, ka reshje dëbore me intensitet të ulët, me trashësi rreth 5 centimetër.
Në Qafë Thore trashësia e dëborës arrin rreth 15 centimetër dhe qarkullimi vijon pa probleme. Në fshatin Vrith ka pasur problematika në qarkullimin rrugor, ku është ndërhyrë për menaxhimin e fluksit.
Në zonat me fluks të lartë lëvizjeje dhe në akset rrugore ku ka prezencë dëbore dhe ngricash, është shtuar patrullimi nga shërbimet e Policisë Rrugore.
Territori i Qarkut Kukës vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët shoqëruar me erë. Ndërsa në lartësinë mbi 700 m ka dhe reshje bore. I gjithë Qarku Kukës furnizohet me energji elektrike përveç zonave në Margegaj, Lekbibaj dhe fshati Berishë njësia administrative Bytyç bashkia Tropojë.
Reshjet e dëborës kanë nisur në zonën e Qafë Thanës, në Pogradec. Reshjet janë të pranishme vetëm në majën e qafës, me intensitet të ulët deri në mesatar, ndërsa temperaturat shënojnë vlera negative.
Sipas informacioneve, kontraktorët pritet të kryejnë kriposjen e rrugës për të shmangur ngricat dhe rrëshqitjet e automjeteve. Deri në këto momente nuk raportohen bllokime apo vështirësi në qarkullim.
Autoritetet u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, veçanërisht në zonat malore.