", "author": { "@type": "Organization", "name": "Syri Net" }, "publisher": { "@type": "Organization", "name": "Syri Net", "logo": { "@type": "ImageObject", "url": "/public/syri/images/logo_png.png", "width": 100, "height": 34 } }, "image": { "@type": "ImageObject", "url": "/uploads/syri.net/images/2026/January/02/auto_-640-0-aa375577e94a2dd06410c7d62e204b2c1767351419.jpg", "width": 900, "height": 467 } }

‘Ishte më keq se një film horror’/ Dëshmia tronditëse e të riut pas zjarrit me 47 viktima në Crans-Montana

Pak pas orës 01:30 të mëngjesit të Vitit të Ri, një zjarr i fuqishëm përfshiu barin “Le Constellation” në vendpushimin Crans-Montana, duke shkaktuar mbi 47 viktima dhe 115 të plagosur.

Dëshmia e një 19-vjeçari italian, i cili ndodhej aty pranë, ka tronditur opinionin publik.

I riu Gianni, student i inxhinierisë mekanike në Gjenevë, thotë se mori vesh ngjarjen nga një shoqe e tij, e cila kishte mbërritur në bar pak minuta pas shpërthimit. “Ajo dëgjoi shpërthime të forta dhe pa flakë. E kuptova menjëherë se ishte diçka shumë serioze,” rrëfen ai për gazetën L’Essentiel.

Ai arriti në vendin e ngjarjes përpara se të mbërrinin ekipet e emergjencës. Sipas tij, situata përkeqësohej minutë pas minute. “Njerëzit ishin shtrirë përtokë, të plagosur dhe të djegur,” kujton i riu, i cili ofroi ndihmën e tij duke qenë se kishte pak përvojë në mbrojtjen civile.

Për të ndihmuar të plagosurit, kalimtarët krijuan barela të improvizuara me pajisje nga lokali, ndërsa mungesa e personelit dhe pajisjeve e bëri situatën edhe më të vështirë. “Ndonjëherë na duhej t’i linim njerëzit në tokë për të shpëtuar ata që ishin ende brenda,” tregon ai, duke folur për skena kaotike.

Operacionet e shpëtimit zgjatën deri në orën 05:00, në temperatura deri në –11°C. “Po kërkoja batanije në baret aty pranë,” thotë i riu, i cili shton se plagët e rënda bënë thuajse të pamundur identifikimin e viktimave.

Gianni beson se ndihma e tij shpëtoi jetë, edhe pse pranon se përjetimet e asaj nate do ta shoqërojnë gjatë. Ai shprehet i zhgënjyer që nuk iu ofrua asnjë mbështetje psikologjike apo mjekësore pas ngjarjes, pavarësisht se kishte qenë i ekspozuar ndaj tymit.

“Jam i sigurt se kam ndihmuar njerëz. Shumë pak civilë erdhën për të ndihmuar, vetëm tre ose katër.” Edhe profesionistët, thotë ai, u tronditën. “Zjarrfikësit po qanin. Ishte më keq se një film horror. Adrenalina më mbajti gjallë gjithë natën. Ende nuk e kam kuptuar”, thotë ai, duke shprehur zhgënjimin e tij për mungesën e mbështetjes pas incidentit. “Nuk më ofruan asnjë ndihmë apo kujdes mjekësor, edhe pse isha ekspozuar ndaj tymit. I vetmi person që më foli ishte një oficer policie i cili më kërkoi të largohesha.”

Zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore raportuan se situata ka qenë një nga më të rëndat e dekadave të fundit në zonë. Hetimet për shkaqet e tragjedisë vijojnë.

View this post on Instagram

A post shared by Syri TV (@syri.tv)