Al Hilal gati të negociojë për pagën, Interi parakalon Barçën për portugezin
Joao Cancelo–Inter, negociatat vazhdojnë. Për mbrojtësin e djathtë portugez, i cili është në largim nga Al Hilal, pasi ka prishur marrëdhëniet me Simone Inzaghin dhe ambientin, mbetet e fortë konkurrenca e Barcelonës (sidomos) dhe Juventusit, por orët e fundit raportohet për hapa përpara në boshtin Riad–Milano, edhe falë rolit ndërmjetësues të Jorge Mendes.
Cancelo ka kontratë me arabët deri në vitin 2027, me një pagë rreth 15 milionë euro në sezon, por është lënë jashtë listës dhe po kërkon një skuadër të re, mundësisht në Europë, për të luajtur titullar dhe për të mbërritur në formë në Botërorin 2026. Për të gjitha opsionet e shqyrtuara deri tani po diskutohet një huazim, i thjeshtë ose me të drejtë blerjeje, për gjashtë muaj, me pagë të paguar pjesërisht nga Al Hilal. Kostoja e operacionit mbetet gjithsesi e konsiderueshme, pasi bëhet fjalë për 7,5 milionë euro pagë për gjashtë muaj; për këtë arsye Interi propozon të mbulojë 3 milionë, duke kërkuar që pjesa tjetër të paguhet nga Al Hilal.
Duke e projektuar gjithçka në 12 muaj, kjo do të thotë se zikaltrit po arsyetojnë për një pagë vjetore prej 6 milionë eurosh, çka do ta bënte 31-vjeçarin portugez praktikisht të katërtin më të paguar të skuadrës pas Lautaro Martinez, Barella dhe Calhanoglu, në të njëjtin nivel me Marcus Thuram: një investim i rëndësishëm për merkaton e janarit.
Risia është se Al Hilal nuk e mbyll aspak derën për pjesëmarrjen në pagë; tani po kërkohet marrëveshja për formulën (huazim, me shumë gjasa me të drejtë blerjeje) dhe shifrat, por Interi është aty. Vetë Cancelo, i cili fillimisht i kishte dhënë përparësi Barcelonës, po e sheh Interin me shumë më tepër interes, duke qenë se “blaugranat” nuk po hedhin hapin vendimtar dhe Juventusi ka bërë vetëm një sondazh.