Rusia i kërkon ShBA-së të ndalë ndjekjen e anijes cisternë që po i afrohet Venezuelës

Rusia ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara që ta ndërpresin ndjekjen e një anijeje transportuese të naftës që është nisur drejt Venezuelës dhe tani po i ik Rojës Bregdetare të ShBA-së në Oqeanin Atlantik, raportoi të enjten gazeta e njohur amerikane, “The New York Times”, duke cituar dy persona që kishin njohuri rreth kësaj çështjeje.

Forcat amerikane e filluan ndjekjen e anijes transportuese para gati dy javëve. Grupet detare e kanë identifikuar atë si “Bella 1”, transmeton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Shtetet e Bashkuara të mërkurën vendosën sanksione kundër katër kompanive për të cilat thanë se operojnë në sektorin e naftës të Venezuelës si dhe ndaj anijeve transportuese të lidhura me to, kur administrata e presidentit Donald Trump po e shton presionin ndaj homologut të tij venezuelas, Nicolas Maduro.

Rusia e bëri kërkesën formale diplomatike në kohën kur Trumpi gjithashtu po mundohet që të ndërmjetësojë një marrëveshje të paqes mes Rusisë e Ukrainës.

Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Shtetit i ShBA-së dhe Ambasada e Rusisë në Uashington nuk ishin menjëherë të qasshme për të dhënë komente.