E pandehur për shkelje të barazisë në tenderat miliona euro, Balluku e nis Vitin e Ri me...

Zv kryeministrja njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e pandehur për shkelje të barazisë në tendera dhe në pritje të Kuvendit për ti hapur rrugë arrestimit që kërkon SPAK ka rinisur aktivitetin e saj me postime në Facebook sikur gjithçka të shkonte vaj.

Përmes një postimi në Facebook ajo ka përcjellë një mesazh urimi për Vitin e Ri. Në mesazhin e saj, Balluku uron një vit të paqtë, me ditë plot diell, të rrethuar nga njerëzit e dashur, ngrohtësia e miqve të vërtetë dhe dashuria e prindërve dhe fëmijëve.

Ndërkohë Balluku do të përballet këtë vit me një betejë të fortë ligjore e politike pasi SPAK kërkon arrestimin e saj.

Më 22 janar Gjykata Kushtetuese ka caktuar seancën plenare publike për të shqyrtuar kërkesën e Ramës për zgjidhje të kompetencave mes Gjykatës së Posaçme dhe Kryeministrit e Këshillit të Ministrave.

Balluku u pezullua nga detyra më 20 nëntor me vendim të gjyqtarit Erjon Çela të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, pasi akuzohet për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera në projektin e Tunelit të Llogarasë dhe njërit prej loteve të Unazës së Madhe. Po ashtu, Ballukut iu ndalua e drejta për të udhëtuar jashtë shtetit.

Kryeministri Edi Rama e kundërshtoi vendimin publikisht edhe ligjërisht,  duke i kërkuar Gjykatës Kushtetuese pezullimin e efekteve të vendimit deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese dhe interpretimin e nenit kushtetues që parashikon se “anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale që i njeh jo vetëm Kushtetuta, por edhe legjislacioni procedural penal”.

Rama kërkon gjithashtu që Kushtetuesja të shprehet për shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit e Këshillit të Ministrave nga njëra anë dhe Gjykatës së Posaçme në anën tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së Ballukut.

Që nga pezullimi i Ballukut, Rama ka ndërmarrë një fushatë publike për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Posaçme, duke u ankuar se pezullimi i Ballukut ishte absurd dhe uzurponte kompetencat e tij si kryetar i Këshillit të Ministrave. Në asnjë rast, Rama nuk ka  komentuar apo dhënë shpjegime për akuzat e ngritura rreth ndërhyrjeve në mënyrë të paligjshme në dy tendera me vlerë 210 milionë euro. 

Ndërkohë SPAK i ka dërguar kërkesë Kuvendit t'i heqë imunitetin për t'i hapur rrugë arrestimit të saj por me orientimin politik të kryeministrit, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi refuzoi të mblidhte Këshillin e Mandateve për të vendosur mbi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme pavarësisht se kjo bie ndesh me Rregulloren e Kuvendit dhe praktikën parlamentare.

Postimi

“Vit të paqtë, me ditë plot diell, rrethuar nga njerëz që ju duan, nga ngrohtësia e miqve të vërtetë dhe dashuria e prindërve dhe fëmijëve!”, shkruan Balluku.