Zvicra shpall 5 ditë zie -shumë prej viktimave, të rinj! Presidenti Parmelin: Dramë e përmasave të panjohura

Zvicra shpalli 5 ditë zie për tragjedinë në Crans-Montana ku dhjetra persona humbën jetën ndërsa 115 janë të plagosur dhe dhjetra të tjerë janë të zhdukur pas shpërthimit të zjarrit në një bar në ku po festohej për Vitin e Ri në një resort luksoz të skijimit në Zvicër.

Presidenti i Konfederatës Zvicerane, Guy Parmelin, premtoi gjatë një konference për shtyp në Crans-Montana se “Zvicra do të bëjë gjithçka për të kuptuar se çfarë ka ndodhur” brenda barit La Costellation, natën e Vitit të Ri, ku zjarri shkaktoi vdekjen e të paktën 47 personave. “Ia kemi borxh kujtimit të viktimave,” shtoi Parmelin, duke shpallur “pesë ditë zie”.

Shumë prej viktimave janë të rinj ndërsa identifikimi i viktimave do të kërkojë kohë.

Ai theksoi se “Zvicra mbetet e bashkuar në vendosmërinë për të kuptuar çfarë ndodhi dhe për të parandaluar që kjo të përsëritet”. “Nuk do të lejojmë,” shtoi Parmelin, “që një tragjedi e tillë të përsëritet në Zvicër”.

Presidenti Guy Parmelin e quajti zjarrin e mbrëmshëm “një nga tragjeditë më të rënda që ka përjetuar vendi ynë”,  ‘një dramë me përmasa të panjohura”

Dëshmitari

Një dëshmitar i ka treguar agjencisë së lajmeve AFP se mbeti i bllokuar brenda godinës që po digjej dhe u detyrua të thyente një dritare për të shpëtuar.

“Ishim të bllokuar, shumë njerëz ishin të bllokuar. Nuk shihnim asgjë për shkak të tymit,” thotë ai. “Nuk e dinim se si do të dilnim.”

Ai vijon: “Isha vetëm dhe nuk e dija si mund t’ia dilja, por arrita të thyej një dritare dhe të dal përmes saj.

“Gjysma e rrobave të mia u dogjën, ishte e çmendur.

“Isha në bodrum. Unë dhe miqtë e mi po argëtoheshim, por fatkeqësisht disa nga miqtë tanë nuk janë më me ne për shkak të zjarrit.

“Ishte kaos. Njerëzit ishin të bllokuar. U detyrova të vendos një tavolinë për t’u fshehur pas saj, i rrethuar nga flakët. Por dola. Kjo është më e rëndësishmja.”

Duke folur për momentet para se të shpërthente zjarri, ai tha se në bar ndodheshin kamariere “me shishe shampanjeje me fishekë ndriçues, shumë pranë tavanit”, dhe se “zjarri shpërtheu papritur”.