Tragjedia në Crans-Montana/ Farnesina: 12 italianë të plagosur, 15 të zhdukur! I vështirë identifikimi i viktimave
Nga Alba Kepi
Rëndohet bilanci i tragjedisë së ndodhur në Crans-Montana. Sipas të dhënave më të fundit, 12 shtetas italianë kanë mbetur të plagosur, ndërsa 15 persona rezultojnë ende të zhdukur. Autoritetet paralajmërojnë se situata mbetet shumë e ndërlikuar dhe në zhvillim të vazhdueshëm.
Ministria e Jashtme italiane, Farnesina ka aktivizuar një njësi operative për të verifikuar përfshirjen e shtetasve italianë dhe për të asistuar familjarët. Sipas burimeve zyrtare, identifikimi i viktimave është i vështirë për shkak të djegieve të rënda të pësuara nga shumë prej të lënduarve.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, ka bërë të ditur se do të shkojë në Crans-Montana për të ndjekur nga afër situatën.
“Lista e të zhdukurve është në rritje. Situata është shumë e komplikuar dhe do të ngremë një task-forcë në vendngjarje”, deklaroi ai.
Ndërkohë, spitali Niguarda i Milanos është vënë në gatishmëri për të pritur tre të plagosur rëndë nga djegiet, të cilët do të transferohen nga Zvicra me helikopterë të nisur nga Lombardia.
“Ka kaq shumë të plagosur saqë edhe spitalet zvicerane po hasin vështirësi. Nevojiten reparte të specializuara për trajtimin e të djegurve”, shpjegoi Tajani.
Autoritetet italiane theksuan se transferimet po kryhen për arsye humanitare dhe solidariteti, pavarësisht kombësisë së të plagosurve. Hetimet dhe operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë, ndërsa familjarët presin me ankth informacionet për personat ende të zhdukur.
Kryeministrja Giorgia Meloni, ka shprehur në emër të Qeverisë, ngushëllimet më të sinqerta për zjarrin dramatik që ndodhi në Zvicër, në Crans-Montana e sipas një note zyratre po ndjek me vëmendje zhvillimin e situatës, duke qëndruar në kontakt të ngushtë me Zëvendës Kryeminsitrin, Antonio Tajani, për marrjen e të gjitha informacioneve mbi ngjarjen dhe mbi përfshirjen e mundshme të shtetasve italianë.