Tirana si arenë e agresivitetit, tjetërsimi i individit dhe kriza e empatisë

Në romanin e tij 'Netë dhe mjaltë', Liridon Mulaj zhvendos fokusin nga periferia në zemër të metropolit shqiptar, duke sjellë një kritikë të ashpër ndaj mënyrës se si Tirana po i 'bluan' banorët e saj.

Gjatë intervistës sw dhwnw pwr gazetaren e Syri-t, Egla Xhemalaj, Mulaj argumenton se kryeqyteti është shndërruar në një entitet agresiv, i cili ushtron një presion të papërballueshëm mbi individin, dhe veçanërisht mbi çiftet e reja që përpiqen të ndërtojnë një jetë të pavarur.

Ai përshkruan një zinxhir toksik transmetimi të dhunës: frustrimi i akumuluar nga padrejtësitë sociale, mungesa e meritokracisë dhe kaosi urban shkarkohet brenda mureve të shtëpisë, duke helmuar marrëdhëniet më intime.

'Tirana është një qytet agresiv me njerëzit e vet,' thotë Mulaj. Ai analizon figurën e të riut shqiptar, i cili, ndonëse i aftë dhe plot ëndrra, gjendet përballë një muri të pakalueshëm të sistemit. Kjo bën që zgjidhja e vetme të mbetet emigrimi, një plagë që autori e trajton përmes personazheve që largohen drejt Greqisë apo vendeve të tjera, duke marrë me vete pyetjen e dhimbshme: 'A ishte më e vështirë atje në krizë, apo këtu në shtëpinë time?' Kjo dilemë ekzistenciale përbën thelbin e 'melankolisë' që përshkon veprën e tij.

Por, përtej urbanistikës dhe politikës, Mulaj prek një fenomen edhe më shqetësues: krizën e thellë të empatisë. Ai vëren një disonancë njohëse në shoqërinë e sotme. Nga njëra anë, ekranet televizive janë të mbushura me emisione ku njerëzit qajnë, përqafohen dhe shfaqin emocione të forta. Nga ana tjetër, në jetën e përditshme, të njëjtët njerëz janë të ftohtë, cinikë dhe indiferentë ndaj dhimbjes së tjetrit. 'Sa më shumë qajnë në televizion, aq më të ngurtë bëhen në realitet,' konstaton shkrimtari.

Sipas Mulajt, shoqëria është shndërruar në një teatër gjigant ku secili luan një rol sapo ndizet 'prozhektori'. Ai e refuzon këtë patetizëm në letërsinë e tij. Për të, dhimbja e vërtetë është fisnike, e heshtur dhe dinjitoze. Ajo nuk bërtitet. Personazhet e tij vuajnë në heshtje, duke reflektuar atë që ai e quan 'melankoli ekzistenciale'. Kjo qasje realiste, e cila refuzon 'happy end'-in e detyruar apo dramatizimin e tepruar, synon t'i ofrojë lexuesit një pasqyrë të pastër të realitetit, duke e ftuar të reflektojë mbi humbjen e humanizmit në një botë që vrapon pas suksesit sipërfaqësor.