Fishekzjarrët djegin katër automjete në Elbasan, nuk ka të lënduar
Gjatë festimeve për ndërrimin e viteve në shtatë bashkitë e Qarkut Elbasan nuk janë regjistruar incidente të rënda me pasoja për jetën e qytetarëve, pavarësisht përdorimit masiv të fishekzjarrëve.
Megjithatë, nga hedhja e pakontrolluar e tyre, në zonën midis lagjeve “5 Maji” dhe “Emin Matraxhiu” në qytetin e Elbasanit janë djegur plotësisht dy automjete, ndërsa dy të tjera kanë pësuar dëmtime të pjesshme.
Burime bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit, ndërkohë që nuk raportohet për persona të lënduar.
Gjatë gjithë natës festive, trafiku në rrugët e qytetit të Elbasanit ka qenë i dendur, ndërsa sheshet dhe ambientet ku u organizuan festimet janë frekuentuar masivisht nga qytetarët.
Policia e Shtetit ka qenë e pranishme me shërbime të shtuara në të shtatë bashkitë e Qarkut Elbasan, duke vijuar kontrollet për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë gjithë natës së ndërrimit të viteve.