SYRI TV/ Burgjet në vend të mbipopulluara, 841 të paraburgosur më shumë se të dënuar
SYRI TV
Statistikat tregojnë se situata me mbipopullimin në burgje apo paraburgim është shqetësuese, me mbi 840 të paraburgosur më shumë se sa të dënuar.
Burgjet pranojnë situatën por thonë se nuk është përgjegjësi e tyre, ndërsa njohësit e ligjit, kritikojnë ashpër masat ekstreme dhe masive të kufizimit të lirisë, për shtresat më të dobëta të shoqërisë apo për vepra penale që nuk kanë pasoja kolektive. Disa burgje janë drejt mbylljes, e disa të tjerë janë ose në letër gati për tu projektuar, ose gati për të hedhur themelet si ai i Kukësit
Tabela në vijim ju njeh me situatën në Institucionet e Vuajtjes së Dënimit apo paraburgimit në vend. Të dhënat janë marrë zyrtarisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve përmes një kërkesë për informacion që adresoi Syri Televizion.
1- Referuar numrit të të paraburgosurve aktualisht, mesatarisht janë 2691 të paraburgosur. Ndërsa të dënuar aktualisht, mesatarisht janë 1850 .
2- Kapaciteti normal i ambienteve të paraburgimeve dhe burgjeve për akomodimin e individëve është 5747 .
3-Aktualisht në sistemin e burgjeve janë 719 vende të lira, 87.4 % e kapaciteteve të zëna.
-Por gjatë dinamikës së punës për shkak të numrit të lartë të të paraburgosurve në raport më të dënuarit kemi patur institucionet e paraburgimit të populluara më shumë se kapacitetet.
Aktualisht kemi vetëm IEVP Jordan Misja me 20 shtetas mbi kapacitete. Kjo ka ardhur për shkak të transferimeve përkohësisht për shkak të gjykimeve në apel.
Syri Televizion ndoqi nga afër më 26 dhjetor të këtij viti një seancë për vlerësimin e masave të sigurisë për 22 shtetas të arrestuar në kuadër të një operacioni të trafikimit të narkotikëve, në sasi shumë të vogla. Avokatët e tyre ishin totalisht të pakënaqur me kërkesat e Prokurorisë por edhe për bazën ligjore që nuk kursehet sipas tyre, tej çdo rrethane.
Të pyetur konkretisht për mosbalancimin e të paraburgosurve me të dënuarit sa i takon shifrave, avokatët propozojnë masa alternativë
Sipas avokatëve, kjo ka edhe një kosto që është e dyfishtë, për shtetin dhe qytetarin.
Por çfarë thonë vetë burgjet për situatën e mbipopullimit të IEVP-ve në vend.
“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ka në autoritetin e saj kompetencë të ulë numrin e të paraburgosurve por ka në kompetencë të bëjë menaxhimin e të dënuarve duke i transferuar në institucionet më të afërta mbipopullimin duke marrë parasysh juridiksionin gjyqësor dhe qëndrimin në institucione pranë vendbanimit”.
Sipas përgjigjes që drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i dha Syri Televizion, problematikë mbetet sistemi menaxhimit i 4 shtetasve me masë mjekësore kur ka pamjaftueshmëri kapaciteti. Ç’ka do të thotë se sistemi i menaxhimit e ka të vështirë të garantojë të drejtat bazike të të burgosurve me rrethana specifike shëndetësore.
Burgjet thonë se përgjatë vitit 2025, ka zhvilluar procedurën e prokurimit me objekt “Projektimi dhe ndërtimi i IEVP Kukës”, e cila ka për qëllim investimin në ndërtimin e një burgu të ri në qytetin e Kukësit. Procedura e Prokurimit është finalizuar me shpalljen e fituesit, dhe në vijim DPB, në cilësinë e Autoritetit Kontraktor ka lidhur kontratën me subjektin kontraktues për vijimin e zbatimit të kësaj kontrate.
E ndërkohë, sipas të dhënave të siguruara në rrugë të ndryshme, burgu i Burrelit po shkon drejt mbylljes pas atij të Tepelenës. Për këtë të fundit mësohet se të dënuarit apo të paraburgosurit janë zhvendosur, dhe po bëhen përpjekje që të gjendet zgjidhje për administratën, paralelisht, po mendohet që ky burg, të kthehet në një strehë ku të dënuarit të punojnë njëkohësisht në sektor të ndryshëm, si prodhim mobiliesh apo artizanale, me qëllim pagimin e tyre njëkohësisht kthimin e përfitime në investime për vetë sistemin penitenciar.
Një tjetër qendër po ndërtohet në Mezez për të miturit në konflikt me ligjin. Instituti për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve në Mëzez, pritet të vihet në funksionim brenda vitit 2026 që do të përbëhet nga shtatë objekte multidisiplinare që do të ofrojnë shërbime të specializuara, dhe ku parashikohet të zhvillohen programe të posaçme për çdo tipologji vepre penale dhe për çdo rast specifik të të miturve që shkelin ligjin.
Me një njoftim të ditëve të fundit, Ministria e Drejtësisë njoftoi amnisti penale nga e cila parashikohet të ulet në 7% mbipopullimi në burgje me 380 të dënuar që lirohen dhe 900 të tjerë përfitojnë zbritje të dënimit, por nga kjo nuk përfitojnë të paraburgosurit ose të dënuarit nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Avokati Redi Ramaj, e sheh si një procedurë normale dhe në përputhje me normat europiane aplikimin e amnistisë, por kritikon që zgjidhja e mbipopullimit të gjendet përmes amnistisë.