Ja disa mënyra për të përmirësuar shijen e shampanjës, sipas shkencës
Nga mënyra se si mbahet gota gjatë derdhjes, te zgjedhja e formës së saj dhe momenti i konsumimit – studimet shkencore tregojnë se si mund të përjetohet më mirë një gotë verë e gazuar.
Më shumë se 360 vite studime shkencore mbi verërat e gazuara kanë zbuluar detaje të rëndësishme mbi atë që e bën një gotë shampanjë “ideale”. Në një gotë shampanjë ka rreth një milion flluska, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në pamjen, aromën dhe shijen e pijes.
Flluskat krijohen gjatë një procesi të dyfishtë fermentimi, ku sheqeri luan rol kyç. Gjatë fermentimit të dytë, i njohur si prise de mousse, dioksidi i karbonit “kapet” në shishe, duke i dhënë shampanjës gazin karakteristik. Me kalimin e kohës, maja e vdekur ndikon në pasurimin e shijes, duke krijuar aroma më komplekse.
Sipas studiuesit francez Gérard Liger-Belair, një nga ekspertët kryesorë të flluskave të shampanjës, madhësia e tyre ndikon në çlirimin e aromave. Flluskat rreth 3.4 mm janë më efektive në transportimin e aromave drejt hundës, ndërsa ftohja e shampanjës ndihmon në ruajtjen e ekuilibrit të shijes.
Studimet tregojnë se përvoja e shijimit ndikohet edhe nga faktorë të tjerë si ambienti (ndriçimi dhe muzika), forma e gotës, mënyra e pastrimit të saj, teknika e derdhjes, koha e konsumimit dhe madje edhe lartësia mbi nivelin e detit. Në lartësi të mëdha, si gjatë fluturimeve ajrore, shampanja perceptohet më acide për shkak të presionit dhe lagështisë së ulët.
Shkencëtarët theksojnë se, përtej imazhit të luksit dhe festës, shampanja përfaqëson një ndërthurje të veçantë të kimisë, fizikës dhe perceptimit njerëzor, duke e bërë shijimin e saj një përvojë shumë më komplekse sesa duket në pamje të parë.