Sulmi në Bondi/ Policia e armatosur blindon Sidnej për festimet e Vitit të Ri

Mes vendeve që po shënojnë ndërrimin e viteve pas rreth 40 minutash është edhe bregu lindor i Australisë, përfshirë një nga qytetet më të mëdha të vendit, Sidnein.

Mijëra efektivë policie të armatosur po patrullojnë rrugët e qytetit teksa qytetarët festojnë Vitin e Ri. Një pamje e rrallë dhe tronditëse për Sidnein, pas sulmit masiv me armë zjarri në Bondi Beach më herët këtë muaj.

Disa prej oficerëve janë parë duke mbajtur armë të rënda, si pjesë e masave të shtuara të sigurisë pas sulmit, i cili kishte në shënjestër komunitetin hebre të Australisë dhe la të vrarë 15 persona. Ky ishte sulmi më vdekjeprurës me armë zjarri në vend që nga viti 1996.

Policia e Uellsit të Ri Jugor (NSW) njoftoi se mbi 2.500 punonjës policie janë në detyrë sonte, shumë prej tyre të armatosur.

Përpara festimeve, kryeministri i shtetit të NSW-së, Chris Minns, deklaroi se policia do të ishte “e pranishme në numër masiv, në disa raste duke mbajtur armë dhe pajisje që publiku nuk i ka parë më parë”.

Ndërkohë, festimet e Vitit të Ri në qytet u ndërprenë në orën 23:00 me kohën lokale (12:00 GMT) për një minutë heshtje, në nderim të viktimave të sulmit.