Nga Veliaj te Balluku: pse njërin Rama e la të bjerë, ndërsa tjetrën po e mban me thonj
Viti që po lemë pas ishte një vit me ngjarje të rëndësishme brenda organizatës së Rilindjes.
Ky vit u shënjua nga lëshimi i Erion Veliajt prej Ramës dhe mbijetesa e Belinda Ballukut, po prej tij.
Këto dy ngjarje nuk mund të shihen si produkte të rastësisë apo vetëm të drejtësisë, por si dy strategji të ndryshme të Edi Ramës për të menaxhuar pushtetin dhe rrezikun brenda oborrit të tij politik. Në këtë këndvështrim, Veliaj u “lëshua”, ndërsa Balluku po “mbahet me thonj”, edhe pse të dy kanë qenë figura jashtëzakonisht të fuqishme brenda organizatës.
1. Edi Rama e lëshoj Veliajn sepse mesa duket u bë – nga pasardhës i mundshëm në kërcënim real
Erion Veliaj nuk ishte thjesht kryetar bashkie. Ai ishte i vetmi politikan socialist që ndërtoi një profil publik paralel me Ramën: komunikim agresiv, strukturë besnike, ndikim në Tiranë dhe ambicie të nënkuptuara brenda dhe jashtë vendit. Në një moment, Veliaj nuk shihej më si vartës, por si pasardhës potencial – dhe pikërisht këtu filloi shqetësimi i padrinos.
Në këtë lexim politik, Rama nuk e mbrojti Veliajn përballë goditjes së drejtësisë, qau me lot krokodili për dy ditë, por e la që procesi të ecte deri në fund dhe shkoi i bastisi bashkinë menjëherë për të emëruar njerëzit e tij.
Distancimi publik erdhi pak më vonë, heshtja dhe mungesa e çdo kostoje politike për ta mbrojtur krijuan bindjen se Veliaj u pa si i zëvendësueshëm dhe i rrezikshëm njëkohësisht.
2. Balluku – pushtet pa ambicie lidershipi
Belinda Balluku ka pasur ndoshta pushtet më të madh real sesa Veliaj: sektorë strategjikë, projekte miliardëshe, ndikim në ekonomi dhe energji. Por ndryshe nga Veliaj, Balluku nuk ka ndërtuar kurrë profil rival. Ajo nuk ka bazë elektorale personale, nuk ka narrativë pasardhëse dhe nuk artikulon ambicie politike përtej rolit të saj si shërbëtore besnike e padrinos.
Pikërisht kjo e bën më të “sigurt” për Ramën. Në këtë kuptim, Balluku është e fuqishme, por e varur. Rënia e saj do të hapte probleme të mëdha qeverisëse dhe zinxhir përgjegjësish që do të shkonte deri në zyrën e kryeministrit.
Ndaj Rama po përpiqet ta mbajë “me thonj”, duke amortizuar goditjet politike dhe institucionale.
3. Dy standarde, një logjikë pushteti
Në perceptimin publik, Rama nuk sillet njësoj me të gjithë:
* Veliajn e la të bjerë sepse ishte konsumuar politikisht dhe shihej si kërcënim i brendshëm.
* Ballukun po e mbron sepse rënia e saj do të trondiste vetë arkitekturën e pushtetit kleptokratik të tij.
Kjo nuk lidhet me pafajësi apo fajësi, si përpiqet Rama ta shesë, por me llogari të ftohta politike. Ai që bërtet sot për frenim të paraburgimeve si e padrejtë, është po i njëjti njeri që jepte urdhëra publike për burgosjen e fakirëve për 1-2 muaj faturë drite të papaguar.
1. Në vitin që po lëmë pas, Edi Rama u ka dhënë një mesazh brutal dhe të qartë gjithë bandës së tij të Rilindjes:
* Nëse rritesh shumë dhe fillon të dukesh si alternativë, bëhesh i rrezikshëm.
* Nëse je e fortë, por jo rivale, je e nevojshme.
Veliaj tentoi të bëhej figurë politike më vete; Balluku mbeti instrument pushteti.
“Koka” e të parit përfundoi në tepsi, e të dytës mbrohet me thonj.
Në këtë narrativë, Erion Veliaj nuk ra thjesht nga drejtësia, por u la të rrëzohej. Belinda Balluku, përkundrazi, po mbahet fort sepse rënia e saj do të ishte rënie e një pjese të vetë qeverisë Rama. Nuk është çështje morali apo ligji – është çështje pushteti, frike dhe mbijetese politike.
Në fund, Rama nuk lufton për njerëzit e tij, pasi në jetën politike ai njihet për pabesi ndaj bashkëpunëtorëve historikisht; ai thjeshtë lufton për pushtetin e tij.