Adeyemi në merkato, tani ka një çmim: ndikimi i Loredanës dhe interesimi i dy gjigantëve europianë

Marrëdhënia mes Karim Adeyemi-t dhe Borussia Dortmundit duket se ka hyrë në fazën përfundimtare. Sulmuesi gjerman, i lindur më 2002, është zyrtarisht në merkato dhe klubi verdhezi nuk do të pengojë largimin e tij gjatë afatit dimëror, për shkak të një situate që konsiderohet tashmë e padurueshme për të dyja palët. Në këtë sezon të Bundesligës, Adeyemi ka realizuar 4 gola në 15 paraqitje, por performanca sportive nuk ka mjaftuar për të qetësuar klimën përreth tij.

Sipas medieve gjermane, vendimi i lojtarit për t’u larguar nuk lidhet vetëm me aspektin futbollistik. Një rol të rëndësishëm në këtë zgjedhje ka pasur edhe partnerja e tij, Loredana, e cila thuhet se ka ndikuar ndjeshëm në dëshirën e Adeyemit për t’u transferuar në një metropol të madh europian. Ky faktor personal ka përshpejtuar reflektimin e sulmuesit për të ardhmen e tij, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë qëndrimin në Dortmund.

Situata është komplikuar edhe më shumë nga raportet jo të mira me trajnerin Niko Kovač, me disa përplasje të brendshme që kanë bindur drejtuesit e klubit se shitja e lojtarit është zgjidhja më e arsyeshme. Megjithatë, Borussia Dortmund nuk ka ndërmend të bëjë lëshime financiare. Sipas “Bild”, kartoni i Adeyemit vlerësohet rreth 60 milionë euro.

Në garë për shërbimet e tij janë futur dy gjigantë europianë. Manchester United po kërkon përforcime në repartin ofensiv, ndërsa Barcelona e drejtuar nga Hansi Flick e ndjek me interes situatën, edhe pse gjendja financiare e katalanasve e bën këtë pistë më të ndërlikuar. Merkatoja e janarit pritet të tregojë nëse dëshira e lojtarit dhe kushtet e klubit do të gjejnë një pikë takimi.