Rusi: Thellësia më e madhe e shpuar ndonjëherë nga dora e njeriut

BRSS në fillim të vitit 1970, miratoi një plan për një shpim në thellësi të tokës, pa një destinacion të caktuar. Plani ishte që të shpohet sa më shumë që të jetë e mundur.

Për lokacion ishte përzgjedhur gadishulli Kola, dhe me këtë eksperiment shkencëtarët rusë donin që të përftonin një pasqyrë lidhur me kushtet që mbizotërojnë në thellësitë e mëdha, përbërjen kimike të tokës, cilat janë vetitë e saj fizike dhe sa është temperatura.

Me qëllim që shpimi të kishte sukses, rusët kishin shpikur dhe ndërtuar një numër të mjeteve dhe instrumenteve, jo vetëm për shpimin e vrimës, por edhe për lubrifikimin e shpueses dhe matjet në atë thellësi.

Thellësia më e madhe që ata arritën ishte 12,262 metra, dhe kjo deri në vitin 2008 ka mbetur pusi më i thellë që i atribuohet dorës së njeriut, duke qenë se është më e thellë edhe se Oqeani Paqësor.

Rusët megjithatë nuk ishin të kënaqur. Qëllimi i tyre ishte të shpojnë një vrimë deri në 15 kilometra deri në fund të vitit 1993, por u penguan nga temperaturat. Në thellësi prej 12 km, shkencëtarët prisnin një temperaturë prej 100 gradë, kurse në fakt ajo ishte 80 gradë më e lartë.

Bazuar në këto të dhëna, rusët kishin vlerësuar se temperatura në 15 kilometra është të paktën 300 gradë, që do të thotë se pajisjet e tyre nuk do të punonin dhe do të shkriheshin si plastikë. Përveç temperaturës, ajo çfarë i befasoi ata ishte zbulimi i ujit në thellësirat në të cilat është menduar se janë plotësisht të thata, si dhe zbulimi i fosileve mikroskopike të vogla në thellësi prej 6.7 km.

Shpimet në forma të ndryshme kanë vazhduar deri në vitin 2005, kurse hulumtimi u ndal në vitin 2008, kur i gjithë kompleksi ishte braktisur.