Dhunë seksuale dhe shantazh/ Paditet gazetari i njohur italian, Alfonso Signorini
Prokuroria e Milanos ka hapur një hetim ndaj gazetarit dhe moderatorit televiziv Alfonso Signorini, pas padisë së ish-pjesëmarrësit të “Grande Fratello”, Antonio Medugno, i cili akuzon Signorini për dhunë seksuale dhe shantazh.
Medugno, i asistuar nga avokatët Cristina Morrone dhe Giuseppe Pipicella, ka kërkuar procedime ligjore për ngjarje që lidhen me pretendime të vitit 2023 ndaj disa pjesëmarrësve të programit ose kandidatëve për pjesëmarrje.
Hetimi ka çuar në sekuestrimin e fotove, videove dhe bisedave në chat që lidhen me akuzat, ndërsa paditë e tjera të mundshme po shqyrtohen, përfshirë edhe nga ish-pjesëmarrësi i GF Vip, Gianluca Costantino.
Ndërkohë, ish-“mbreti i paparacëve” Fabrizio Corona ka reaguar me një video në rrjetet sociale, duke kritikuar paditë dhe duke paralajmëruar zbulime të reja në janar.
Organizata Codacons ka kërkuar pezullimin e përkohshëm të transmetimit të edicionit të ri të “Grande Fratello” deri sa çështja të sqarohet plotësisht, duke vënë në dukje rëndësinë e mbrojtjes së përdoruesve dhe transparencës në procedurat e përzgjedhjes së konkurrentëve.