Ideja e merkatos, Marotta dhe Ausilio punojnë për rikthimin e Joao Cancelo-s në Milano
Një pistë befasuese, por aspak për t’u përjashtuar. Interi po shqyrton seriozisht mundësinë e rikthimit të Joao Cancelo-s në Milano, një emër që ka lënë gjurmë te zikaltrit në sezonin 2017–2018.
Sipas raportimeve të medieve italiane, mes tyre edhe ‘Sportmediaset’ dhe ‘La Gazzetta dello Sport’, drejtuesit Giuseppe Marotta dhe Piero Ausilio janë duke analizuar çdo detaj për ta bërë realitet këtë operacion të ndërlikuar.
Nevoja sportive është e qartë. Me dëmtimin e rëndë të Denzel Dumfries, Interi i drejtuar nga Cristian Chivu ka mbetur i zbuluar në krahun e djathtë të mbrojtjes. Për më tepër, holandezi përflitet si një nga emrat që mund të largohet gjatë verës së ardhshme, çka e bën edhe më urgjente ndërhyrjen në merkato.
Nga ana tjetër, situata e Cancelo-s në Arabinë Saudite ka marrë një kthesë të papritur. Mbrojtësi portugez ka prishur raportet me Simone Inzaghi-n tek Al-Hilal dhe klubi saudit, me të cilin ai ka kontratë deri në qershor 2027, e ka nxjerrë në merkato. Dy nevoja që përkojnë, por me një pengesë gjigante: paga.
Cancelo përfiton rreth 15 milionë euro neto në sezon, një shifër praktikisht e paarritshme për Interin dhe për çdo klub tjetër italian. Zgjidhja e vetme do të ishte një huazim me ndarjen e pagës, ku për gjashtë muajt e ardhshëm Interi do të mbulonte vetëm një pjesë të saj, duke rinegociuar kushtet në verë.
Sipas gazetarit Fabrizio Romano, vetë lojtari nuk po e sheh çështjen nga ana ekonomike, por dëshiron të rikthehet në një futboll konkurrues dhe të luajë sërish në nivelet më të larta europiane. Një dëshirë që mund ta bëjë këtë “ide të çmendur” më reale nga sa duket.