Arsenali i pandalshëm, ‘poker’ ndaj Aston Villa-s dhe kryesimi i blinduar
Java e 19-të e Premier League, e zhvilluar në mesjavë, dhuroi emocione të shumta dhe konfirmoi formën e jashtëzakonshme të Arsenalit. Skuadra e Mikel Artetës triumfoi bindshëm 4-1 ndaj Aston Villa në “Emirates”, në një përballje direkte për majën e tabelës. Me këtë fitore, “Topçinjtë” jo vetëm që forcuan vendin e parë, por edhe e larguan ekipin e Unai Emery në gjashtë pikë diferencë, duke i dhënë fund serisë pozitive të “Villans”.
Arsenali dominoi ndeshjen nga fillimi deri në fund, duke treguar pjekuri taktike, intensitet dhe efikasitet në fazën sulmuese. Katër golat ishin pasqyrë e një skuadre që ndihet e sigurt në forcat e saj dhe që po dërgon një mesazh të qartë rivalëve: kryesimi nuk është rastësi.
Ndërkohë, Manchester United u ndal në barazim 1-1 ndaj Wolverhamptonit, në një sfidë ku “Djajtë e Kuq” patën vështirësi në krijimin e rasteve të pastra. Edhe Chelsea nuk arriti të merrte tri pikë, duke barazuar 2-2 me Bournemouth-in, në një ndeshje me ritëm të lartë, por me shumë luhatje në mbrojtje për londinezët.
Fitore të rëndësishme regjistroi Newcastle, që mposhti 3-1 Burnley-n. Skuadra ku aktivizohet Sandro Tonali tregoi stabilitet dhe efikasitet, duke vazhduar ngjitjen në renditje. Evertoni, nga ana tjetër, fitoi 2-0 ndaj Nottingham Forest, duke marrë frymë më lirshëm në luftën për mbijetesë.
Java u mbyll me barazimin spektakolar 2-2 mes Brighton dhe West Ham, një tjetër dëshmi se Premier League mbetet kampionati më i paparashikueshëm dhe më konkurrues në Evropë.