Tregtonin lëndë piroteknike, procedohen penalisht pronarët e 3 dyqaneve në Dibër

Tre persona janë proceduar penalisht në qytetin e Peshkopisë, pasi në tre dyqane u konstatuan dhe u sekuestruan sasi fishekzjarresh dhe kapsollash që mbaheshin për shitje në kundërshtim me rregullat ligjore.

Gjatë kontrolleve, u zbuluan kuti me lëndë piroteknike, ndërsa ndaj shtetasve O.D., A.K. dhe D.M. u nis procedim penal për tregtim të kundërligjshëm të këtyre produkteve, të cilat përbëjnë rrezik për sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve. Materialet janë referuar në Prokurorinë e Dibrës për veprime të mëtejshme.

Njoftim i Policisë

'Vijon plani i posaçëm operacional për ndalimin e tregtimit të kundërligjshëm dhe të rrezikshëm të lëndëve piroteknike nga subjekte të paautorizuara.
Konstatohen 3 dyqane në qytetin e Peshkopisë, ku mbaheshin sasi fishekzjarresh dhe kapsollash, në kundërshtim me rregullat dhe kriteret e përcaktuara.
Procedohen penalisht 3 shtetas dhe sekuestrohen kuti me lëndë piroteknike.

Në vijim të zbatimit të planit të masave, të hartuar në prag të festave të fundvitit, me objektiv parandalimin dhe goditjen e rasteve të posedimit të lëndëve piroteknike me qëllim shitjen e kundërligjshme të tyre, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, evidentuan 3 dyqane që ushtronin këtë veprimtari të paligjshme.

Për këto raste, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit O.D., A.K. dhe D.M., pasi në dyqanet e tyre u gjetën kuti me lëndë piroteknike, të cilat mbaheshin me qëllim shitjen e tyre, në kundërshtim me rregullat dhe kriteret e përcaktuara.
Kontrollet vijojnë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme.
Policia e Dibrës apelon për të gjithë qytetarët që të mos përdorin dhe të mos tregtojnë lëndë piroteknike në kundërshtim me rregullat dhe kriteret e përcaktuara, pasi kjo veprimtari, që përbën rrezik për jetën dhe shëndetin e tyre, ndëshkohet konform ligjit.'