Pas marrëveshjes së armëpushimit, Tajlanda liron 18 ushtarë kamboxhianë të kapur në muajin korrik

Tajlanda ka liruar 18 ushtarë kamboxhianë që ishin kapur në muajin korrik gjatë përleshjeve vdekjeprurëse në kufi, në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit që dy vendet arritën të shtunën.

Dorëzimi i ushtarëve u shty me një ditë për shkak të shqetësimeve të Tajlandës lidhur me shkelje të dyshuara të armëpushimit, por u realizua më pas nën presion të vazhdueshëm diplomatik nga Kina, e cila ka kërkuar që marrëveshja të respektohet dhe të mbetet në fuqi.

Tensionet e grumbulluara prej kohësh përgjatë kufirit mes Tajlandës dhe Kamboxhias shpërthyen në fillim të këtij muaji dhe zgjatën për disa javë, duke detyruar gati një milion njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.

Marrëveshja e arritur të shtunën parashikon ngrirjen e vijave të frontit në pozicionet aktuale, ndalimin e përforcimeve ushtarake dhe lejimin e kthimit sa më të shpejtë të civilëve që jetojnë në zonat kufitare.