Nea Tandini: Lartësimi arrihet vetëm me përulje, jo me iluzionin e suksesit

E ftuar në emisionin “A Krasta Show” në Syri TV, me moderator Adi Krastën, studiuesja e artit Nea Tandini ka ndarë një rrëfim të sinqertë mbi marrëdhënien e saj me suksesin, përuljen dhe procesin e vetëpërballjes.

Ajo foli për vitet e vështira të rinisë së kaluar në një Shqipëri patriarkale dhe asfiksuese, largimin drejt Parisit dhe kthimin e vetëdijshëm në vend për t’u përballur me traumat personale. Përmes konferencave mbi histori arti, Tandini synon të trajtojë tema të rënda si dështimi, depresioni, vetmia dhe rënia nga suksesi, duke shpresuar që publiku shqiptar të gjejë veten dhe të reflektojë përmes tyre.

Nea Tandini: Nuk ia lejoj vetes time që të mendoj në këtë, në këtë mënyrë. Unë i them përherë vetes time nuk e bëre mjaftueshëm, nuk i ke dalë ende dhe kjo gjë më shtyn që të shkoj përtej limiteve të mia dhe të shkoj përtej atyre që unë mendoj si pikë, pikëmbarimeve. Unë kam shumë frikë të më hypi vetja në qejf. E kam shumë frikë këtë, këtë shejtan, që kam përshtypjen na rrethon, të gjithëve na ofrohet, të gjithëve na pëshpërit në veshin tonë dhe kam përshtypjen se nëse i thua vetes unë ia kam arritur, ky shejtan sikur të vjen një çikë më afër. Ndaj unë përherë i them vetes, ende ke për të ofruar, ende ke për të arritur gjëra. Në fakt, kam përshtypjen se pyetja jote, nëse më lejon Adi, buron nga një neurozë nacionale që kemi ne shqiptarët dhe ajo është për të, për të qenë i suksesshëm. E kam edhe unë këtë neurozë. E kam edhe unë këtë dëshirë. Po ja që vitet në Paris, vitet që kam jetuar më kanë bërë të kuptoj që lartësimi arrihet vetëm me përulje.

Unë kam jetuar vetëm pesë vite gjithsej në Shqipëri. Dhe më lejo të të them që do të tregohesha jashtëzakonisht hipokrite nëse do të thoja që kanë qenë vitet më të thjeshta të jetës time. Unë kam jetuar në Shqipëri nga mosha 15 vjeçare deri 20 vjeçare. Pra, në një periudhë të ekzistencës time ku unë po e njihja vetveten time, jo vetëm si qenie humane, po dhe si grua. Dhe jam, kam qëndruar në një Shqipëri patriarkale, në një Shqipëri ku trysnia e fasadave, e maskave, e çfarë duhet të jesh, si duhet të sillesh në publik, ka qenë asfiksuese për mua. Në një Shqipëri mjaft të varfër, jo vetëm materialisht, po edhe ndonjëherë shpirtërisht, edhe mendërisht dhe kanë qenë, të më falësh që po tregohem kaq drejtpërdrejt, pesë vite mjaft traumatike. Dhe unë ika nga Shqipëria me një ngarkesë emocionale shumë të madhe, ika do ta them fjalën troç, ika me mllef. Për një të ardhme më të mirë në Paris. Dhe duke qëndruar në Paris, kuptova që ë traumat, inatet, mllefet nuk zgjidhen duke ja mbathur, po zgjidhen duke u përballur me to. Prandaj unë duke filluar nga mosha 30, 31 vjeçare, kam zgjedhur që të kthehem në Shqipëri dhe të mbaj konferenca për histori arti, gjatë të cilave unë përherë lëvroj tematika mjaft të rënda, siç është për shembull dështimi tek artistët, siç është për shembull depresioni dhe vetëurrejtja tek artistët, siç është për shembull Vetmia?

Rënia nga suksesi gjithashtu. Të gjitha këto tematika të cilat janë mjaft të vështira për t'u lëvruar si tematika, janë tematika të rënda. Dhe duke i punuar ato, duke punuar mbi to dhe duke i prezantuar tek publiku shqiptar, unë thjesht në atë moment shndërrohem në një pasqyrë dhe shpresoj që publiku shqiptar në këtë pasqyrë që unë shndërrohem, ta shohë veten dhe ta pyesë veten.