'Anatomia e një viti që normalizoi absurdin'/ Hoxhaj: 2025, drejtësi selektive, mandati i katërt dhe shteti i kapur
Viti që po lëmë pas u karakterizua nga një sërë ngjarjesh politike dhe zhvillimesh në sistemin e drejtësisë, të cilat në një analizë në A Show me Adi Krastën në Syri Tv, gazetari Julian Hoxhaj i cilësoi si “absurditete” që shënuan thellësisht peizazhin publik shqiptar.
Hoxhaj në një përmbledhje të vitit, nxori në pah disa prej momenteve më kritike, duke filluar nga vendimet e diskutueshme të drejtësisë deri te krizat kombëtare dhe manovrat politike.
Sipas gazetarit, viti nisi me një “absurd juridik” më 6 janar, kur Gjykata e Apelit e GJKKO-së riktheu masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për liderin e opozitës, Sali Berisha, një masë që më parë ishte shuar nga shkalla e parë. Ky vendim u përshkrua si një ndërhyrje e drejtpërdrejtë e drejtësisë në proceset politike, duke e mbajtur liderin e opozitës “peng”.
Në vazhdën e zhvillimeve, një tjetër ngjarje madhore ishte arrestimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, i cili u interpretua si një lloj “kundërpeshe” ndaj çështjes Berisha. Megjithatë, u theksua se arrestimi lidhej me aferat e bashkëshortes së tij dhe jo me skandalet e mëdha korruptive të denoncuara nga media dhe opozita, siç është rasti i inceneratorëve. Në fushën politike, zgjedhjet lokale të 11 majit konsoliduan mandatin e katërt të kryeministrit Edi Rama, një zhvillim që ngriti shqetësime mbi përqendrimin e pushtetit.
Në analizë Hoxhaj argumentoi se mandatet qeverisëse në Shqipëri duhet të kufizohen me Kushtetutë, duke ndjekur modelin amerikan, për të shmangur rreziqet e një pushteti afatgjatë.
Hoxhaj akuzoi qeverisjen aktuale, duke e cilësuar si përgjegjëse për shndërrimin e Shqipërisë në një “narko-shtet”, një etiketim që mbështetet edhe nga organizata ndërkombëtare dhe deklarata si urimi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Një tjetër pikë kritike e vitit ishin zjarret masive gjatë verës, të cilat shkaktuan viktima dhe shkatërruan prona e mijëra hektarë pyje. Gazetari akuzoi qeverinë për neglizhencë dhe mosveprim, duke qenë “e gjitha me pushime” në mes të krizës, gjithashtu theksoi se premtimet e përsëritura për blerjen e avionëve zjarrfikës, që datojnë që nga viti 2021, kanë mbetur të parealizuara, duke e lënë vendin të pambrojtur.
Politika e brendshme e Partisë Socialiste gjithashtu prodhoi lajme, me atë që Hoxhaj e quajti një “lojë ping-pongu” lidhur me shkarkimin e Erjon Veliajt nga Kongresi i partisë, një lëvizje që u konsiderua e pamundur juridikisht dhe pjesë e manovrave të brendshme. Në vijim të analizës, si ngjarja më e rëndësishme që përcaktoi vitin 2025, siç u referua në gazetari, u veçua vendosja e masës së sigurisë për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke e cilësuar si kryefjalën e një viti të mbushur me tensione dhe zhvillime dramatike.
Hoxhaj:
Shiko, unë do ta nisja me absurdin ose viti nisi me një absurd po themi nga pikëpamja e të drejtës në vend. Në datën 6 janar kur qytetarët apo të gjithë shqiptarët ende ishin duke gëzuar, festuar ndërrimin e viteve, Gjykata e Apelit e GJKKO-së vendosi që të rikthejë masën e sigurisë detyrim paraqitje për liderin e opozitës Sali Berisha, i cili e kishte humbur këtë masë pasi shkalla e parë, pra GJKKO-ja ja i kishte shuar të gjitha masat. Pra një lloj absurdi i drejtësisë që vetëm në Shqipëri ndodh dhe ne kemi parë çudira të tilla nga kjo. Kjo masë në fakt, për fat të keq vijon të jetë ende në në fuqi, madje në këndvështrimin tim është një pengesë e drejtpërdrejtë, një ndërhyrje e drejtpërdrejtë e drejtësisë dhe që ka ndikuar padyshim edhe në proceset jetike të opozitës në vendin tonë.
Pasi lideri i opozitës, i cili ne e dimë se çfarë ka ndodhur dhe nuk po bëj retrospektivë, mbahet sot e gjithë ditën peng nga një drejtësi e cila për fatin tonë të keq vijon të ketë oscilacione të tilla. Por është po themi absurd.
Ngjarje tjetër e rëndësishme që lidhet po me drejtësinë, është arrestimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj. Pra dukej si një lloj kundërpeshe pasi u bë ky absurdi, drejtësia vendosi që të shpaguajë atë që bëri gjykata e Apelit e GJKKO-së. Pra arrestoi kryebashkiakun e Tiranës për herë të parë, dukej një lajm i mirë sepse u arrestua një kryetar bashkie në zyrë. Në fakt, ajo që prisnim të gjithë ishte që arrestimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës të ndodhte për të gjitha aferat e mundshme korruptive që kemi denoncuar ne si gazetarë, si media, që janë denoncuar nga opozita, por ndodhi për afera të dyshuara të bashkëshortes së tij dhe sot ai është i akuzuar me 13 akuza të cilat po hetohen në Gjykatën e Posaçme dhe që nuk kanë lidhje me korrupsionin, shpërdorimin e detyrës drejtpërdrejtë nga Erjon Veliaj. Nga inceneratori, të cilin unë, ti dhe të gjithë qytetarët shqiptarë vijojnë ta paguajnë në mënyrë absurde me 29 euro për ton depozitimin e mbetjeve ndërkohë që vetë procesi hetimor në gjykatë dhe në SPAK e ka vërtetuar që kjo është një tarifë abuzive. Por vijon të jetë në fuqi.
Pra, për këtë çështje, kryetari i Bashkisë sot ende nuk ka një përgjegjësi penale apo që drejtësia të na thotë nëse ka apo jo përgjegjësi penale.
Ngjarje të tjera të rëndësishme sigurisht që janë zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri. Për shumë kënd ose po themi për njërën pjesë të shoqërisë, atë që mbështet Partinë Socialiste, këto ishin një sukses, mandati i katërt i Edi Ramës. Një mandat po themi që në këndvështrimin tim dhe në konceptin tim të shtetformimit do duhej që në vende si Shqipëria të kufizohej me kushtetutë, si në Amerikë. Pra një kryeministër nuk duhet t'i lejohet më shumë se dy mandate të qeverisë në një vend. Ai mund të jetë superman, mund të jetë njeri i jashtëzakonshëm, mund të jetë një njeri i talentuar, të ketë energjitë e pashtershme të të gjithë botës, por nuk mund të qeverisë një vend si Shqipëria për më shumë se dy mandate.
Ndërkohë rasti i Edi Ramës është e kundërta që unë po them. Rasti i Edi Ramës është kryeministri më atipik që mund të ketë njohur historia e njerëzimit. Kryeministri i cili sot akuzohet se ka, po themi kriminalizimin e kaloi si proces sepse e bëri që në vitin 2013 kur futi njerëz të skeduar, të dënuar deri për vrasje në Kuvendin e Shqipërisë, porkanabizoi vendin.
Po themi, shkatërroi të gjithë procesin elektoral në të gjitha format e ndryshme. Është njeriu që sot Shqipërinë e ka kthyer në narko-shtet. Këtë e thonë organizatat më të rëndësishme ligjzbatuese ndërkombëtare dhe rasti më unikal është ai i urimit të festës së pavarësisë nga sekretari i shtetit Marco Rubio për Shqipërinë, ku nuk pati një urim tipik siç do duhej të ishte por i kujtoi Shqipërisë pikërisht narko-shtetin dhe luftën ndaj narko-trafikantëve që janë të lidhur me kryeministrin. Dhe ne sot kemi shembuj se si Amerika po i godet pikërisht këta njerëz që janë të lidhur me kryeministrin e vendeve.
Dhe Edi Rama sot është kryeministri dhe do të dua, më lejo Adi të përdor një një term interesant e përdori zoti Dritëro Arifi mbrëmë në edicionin e lajmeve me kolegen Armela Ferko që shqiptarët e Shqipërisë dhe në Kosovë janë i vetmi popull në Ballkan sot që votojnë majtas sepse duket sikur u pëlqen subvencionimi. Pra u pëlqen të marrin para nga qeveria dhe të jetojnë me lëmoshë. Dhe kjo ka ndodhur në Shqipëri.
Edi Rama ka gjetur çelësin, u jep para dhe lëmoshë pensionistëve, administratës, edhe bizneseve tashmë sepse bëri faljen e famshme të gjobave dhe arrin që të mbajë të nënshtruar një popull të tërë me grabitjen e zgjedhjeve.
Po ngjarje të rëndësishme dhe që sigurisht që nuk do të harrohen sepse kanë shkatërruar pronën e qytetarëve, janë zjarret e mëdha të verës. Pati dhe viktima, pati qindra banesa, fshatra të tërë të shkrumbuar dhe pati një qeveri që ishte e gjitha me pushime. E gjitha me pushime. Një kryeministër që çdo vit madje edhe tani për fundvit, ka premtuar përsëri blerjen e dy avionëve zjarrfikës të cilët i kishte premtuar që në vitin 2021. Dhe ende sot nuk i kemi. Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan sot që për shkak të zjarreve ka vetëm për vitin 2025 flasim, ka mbi 50.000 hektarë pyje, dru frutorë apo edhe bimësi të tjera të shkrumbuara dhe padyshim dhjetëra fshatra të djegur nga Gramshi në Delvinë e të tjerë e të tjerë.
Sigurisht vera pati edhe zhvillime të tjera, është aksioni i famshëm i Thethit ku qeveria në kulmin e sezonit turistik, që të gjithë e dimë se çfarë përfaqëson Thethi për Shqipërinë, shkoi me fadroma, madje duke nxitur ndoshta edhe konflikte mes banorëve, mes banorëve dhe administratës që zbaton ligjin e IKMT-së në këtë rast apo policisë së shtetit e të tjerë e të tjerë.
Por rastet më të rëndësishme dhe ato që mendoj që ë kanë dominuar skenën e vitit 2025, janë ato që kanë ndodhur pas vjeshtës së këtij viti. Është rasti i shkarkimit të kryetarit të Bashkisë Erjon Veliaj nga kongresi i Partisë Socialiste me urdhër të Edi Ramës, që në fakt në këndvështrimin tim ka qenë një lojë ping-pongu. Edi Rama e shkarkoi Erjon Veliajn, por e dinte në fakt që shkarkimi i Erjon Veliaj ishte i pamundur juridikisht. Ndoshta pati dhe një lloj ndikimi nga kandidati i pavarur i opozitës, pra Florjan Binaj i mbështetur nga opozita, i cili në të dhënat që deklaroheshin gjatë momentit që u prezantua si kandidat, kishte mundësi shumë të mira për të fituar garën për Bashkinë e Tiranës dhe ndoshta ishte një lloj loje e përbashkët mes Veliaj dhe Edi Ramës që që kjo të ndodhte.
Se pati pastaj edhe rrëzimin nga Gjykata Kushtetuese. Por zhvillimi më i rëndësishëm dhe që është ndoshta kryefjala e të gjithë vitit 2025 është masa e sigurisë për zëvendëskryeministren e vendit Belinda Balluku.