SHBA vendosin sanksione të reja ndaj 10 individëve dhe kompanive nga Irani dhe Venezuela
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj 10 individëve dhe kompanive nga Irani dhe Venezuela, të dyshuara për përfshirje në programin iranian të tregtisë së dronëve dhe teknologjisë balistike. Administrata e presidentit Donald Trump tha se këto aktivitete përbëjnë kërcënim për SHBA-të dhe aleatët e tyre në Lindjen e Mesme.
Departamenti i Thesarit i SHBA-së njoftoi se masat synojnë të mbështesin sanksionet e rivendosura të Kombeve të Bashkuara ndaj Iranit për shkak të programit të tij bërthamor, duke ushtruar presion shtesë mbi Teheranin. Irani ka këmbëngulur vazhdimisht se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore.
Sanksionet përfshijnë një kompani venezueliane dhe presidentin e saj, të cilët akuzohen për blerjen e dronëve iranianë. Gjithashtu, në listë janë tre shtetas iranianë të lidhur me furnizimin e kimikateve të përdorura në prodhimin e raketave balistike, si dhe disa individë dhe kompani të lidhura me firmën Ryan Fan, e cila ndodhet tashmë nën sanksionet amerikane.
Në muajin shkurt, presidenti Trump rinovoi fushatën e ashtuquajtur të “presionit maksimal” ndaj Iranit, me synimin për të penguar Teheranin nga zhvillimi i armëve bërthamore. Më herët gjatë kësaj jave, Trump deklaroi se ekziston mundësia që SHBA-të të godasin objektiva iraniane nëse Irani vazhdon programin e tij bërthamor.