VIDEO/ Logu: Heqja e imunitetit të Ballukut po mbahet peng nga vendimmarrja politike e Edi Ramës...
Në një intervistë për SYRI TV me moderatoren Armela Ferko, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Marash Logu, ka deklaruar se çështja e heqjes së imunitetit të Belinda Ballukut ka humbur çdo dimension juridik dhe është shndërruar tërësisht në një vendimmarrje politike të diktuar nga kryeministri Edi Rama.
Sipas Logut, mazhoranca dhe drejtuesit e Kuvendit po mbajnë peng në mënyrë antikushtetuese kërkesën urgjente të SPAK-ut, duke penguar funksionimin normal institucional dhe duke rrezikuar seriozisht procesin hetimor.
Marash Logu: Kam përshtypjen që në këtë rast domethënë e ka humbur aspektin e tij juridik dhe është kthyer tërësisht në një çështje politike, sepse procedura e heqjes së imunitetit të Belinda Ballukut po mbahet peng nga një vendimmarrje politike ekskluzivisht e Edi Ramës, i cili duke qenë se kontrollon totalisht qoftë pushtetin ekzekutiv, qoftë pushtetin legjislativ, pra parlamentin së bashku me kryetarin dhe gjithë deputetët të cilët po tregohen që janë thjesht kukullat e tij për t'i shërbyer interesave dhe vendimmarrjeve të tij politike, në mënyrë tërësisht antikushtetuese dhe antiligjore mbajnë peng një procedurë e cila do të duhej në fakt në një vend normal, që ne, shtet, vend anëtar i NATO-s apo vend kandidat për Bashkimin Europian, do të duhej që tashmë të kishte marrë një epilog, pra të kishte një vendimmarrje të qartë lidhur me kërkesën që ka paraqitur Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në mënyrë të përsëritur, grupi parlamentar i Partisë Demokratike edhe sepse tashmë është ezauruar afati që kërkoi qoftë edhe mbrojtja e vetë të pandehurës Balluku, në mënyrë që të kishin kohë të mjaftueshme për t'u njohur me dosjen, për të përgatitur mbrojtjen e kështu me radhë, ka kërkuar mbledhjen e Këshillit për rregulloren, mandatet dhe imunitetit në mënyrë po themi që të vijohet me procedurën për shqyrtimin e kërkesës dhe më pas dhe miratimin e kërkesës për heqjen e imunitetit të të pandehurës Belinda Balluku. Fakt është që në mënyrë krejt të pakuptueshme, sigurisht të pakuptueshme në sensin për, po e themi për konvencion fjale se kuptohet cila është arsyeja, kryetari i Kuvendit dhe deputetët e Partisë Socialiste që janë anëtarë në këtë këshill, refuzojnë qoftë edhe të mblidhen, megjithëse të paktën rregullorja i imponon që ata të mblidhen...
Ua imponon që ata të mblidhen dhe më pas mund të bien ose jo dakord me kërkesat apo me mënyrën siç dëshirojnë deputetët e Partisë Demokratike që të procedohet, por të paktën janë të detyruar që të paraqiten dhe të mblidhen, në mënyrë që të paktën të krijojnë po themi një kuadër institucional normal. Refuzojnë ta bëjnë këtë, sepse urdhri politik dhe vendimmarrja politike e Edi Ramës është që derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese, ne do ta mbajmë peng kërkesën që ka paraqitur SPAK-u për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Dhe qartazi, unë vlerësoj që sjellja e kryetarit të parlamentit, veçanërisht e kryetarit të parlamentit, është në kundërshtim me ligjin dhe sigurisht që po vlerësohet edhe mundësia që vetë ndaj kryetarit të parlamentit të bëhet një kallëzim penal, sepse është në kushtet e një shpërdorimi të pastër të detyrës.
Realisht Niko Peleshi sot është minimalisht në kushtet e shpërdorimit të detyrës. Pra, në kundërshtim flagrant me rregulloren e Kuvendit, në kundërshtim me Kushtetutën, me Kodin e Procedurës Penale, po mban peng një kërkesë të cilën vetë prokurorët e SPAK-ut, në relacionin që kanë paraqitur në Kuvend, në deklarimet që ata kanë bërë në Këshill, kanë thënë që është një kërkesë me karakter urgjent. Dhe një kërkesë me karakter urgjent nuk mund të presë pafundësisht dhe nuk mund të bëhet peng i dëshirave, tekave apo vullnetit të Edi Ramës. Do të duhet që të marrë një epilog në mënyrë që dhe prokurorët të dinë po themi si të operojnë më tej, sepse ata e kanë shprehur në mënyrë shumë të qartë që e pandehura Belinda Balluku, aktualisht është duke prishur provat dhe është duke intimiduar dëshmitarët dhe për këtë ata kanë sjellë provën. Ia kanë sjellë Kuvendit provën, ia kanë sjellë deputetëve provën se cili është rasti konkret që ata me metoda speciale thonë, pra me vëzhgim, përgjim e kështu me radhë, kanë arritur që të zbulojnë që ajo është duke ndërhyrë në procesin hetimor, duke intimiduar dëshmitarët dhe duke prishur provat, siç ka qenë rasti i intimidimit të një varëses së saj që ka qenë pjesë e procedurës së prokurimit publik për tunelin e Llogarasë.