Gjermani: Fishekzjarrët shiten vetëm tre ditë para Vitit të Ri, debat i fortë për ndalim

Në Gjermani, piroteknikat për Vitin e Ri mund të shiten vetëm gjatë tre ditëve të fundit të punës para 31 dhjetorit dhe vetëm për personat mbi 18 vjeç. Pavarësisht kufizimeve, kërkesa mbetet shumë e lartë: në mbarë vendin u formuan radhë të gjata para dyqaneve dhe raftet u zbrazën brenda pak orësh.

Një rast i pazakontë u regjistrua në provincën e Tyringisë, ku policia reagoi pas një raportimi për vjedhje në një supermarket. Në vendngjarje, oficerët gjetën të rinj të pajisur me batanije dhe çaj të ngrohtë, të cilët po prisnin hapjen e dyqanit për të blerë fishekzjarrë.

Sipas Shoqatës së Industrisë Piroteknike (VPI), viti 2024 shënoi rekord shitjesh me 197 milionë euro xhiro, ndërsa për vitin 2025 pritet një rritje tjetër prej 10–15 për qind. Megjithatë, sondazhet tregojnë se vetëm 22 për qind e qytetarëve planifikojnë të ndezin fishekzjarrë privatë, ndërsa 74 për qind janë kundër.

Në të njëjtën kohë, po rritet shqetësimi për pasojat negative: ndotjen e ajrit, dëmet materiale dhe numrin e lëndimeve të rënda. Sipas Zyrës Federale për Mjedisin, fishekzjarrët shkaktojnë rreth 2,000 ton pluhur të imët çdo Vit të Ri. Autoritetet raportojnë edhe për shtim të piroteknikës ilegale të importuar nga vendet fqinje, me mbi shtatë ton të sekuestruara vetëm gjatë vitit 2024.

Sindikatat e policisë dhe organizata të shumta civile po kërkojnë ndalimin e përgjithshëm të fishekzjarrëve privatë, duke përmendur rrezikun për sigurinë publike dhe sulmet ndaj forcave të rendit. Peticionet për këtë çështje janë nënshkruar nga miliona qytetarë.

Megjithatë, një ndalim i plotë në nivel kombëtar nuk është ende në horizont. Qeveritë lokale po zgjedhin zgjidhje të pjesshme, duke shpallur zona pa fishekzjarrë në qendrat e qyteteve dhe pranë spitaleve, kishave apo aeroporteve. Ndërkohë, për shumë pronarë kafshësh, nata e Vitit të Ri mbetet një sfidë, duke i shtyrë ata të kërkojnë strehim në aeroporte apo në ishuj ku fishekzjarrët janë të ndaluara.