Milano / Prezantuesi i ‘Grande Fratello Vip’, nën hetim për dhunë seksuale dhe zhvatje
Prokuroria e Milanos ka nisur hetim penal ndaj moderatorit të njohur televiziv Alfonso Signorini, i dyshuar për dhunë seksuale dhe zhvatje, pas kallëzimit të depozituar nga Antonio Medugno.
Medugno, 27 vjeç, model dhe tiktoker nga Napoli, ka deklaruar se ka qenë viktimë e abuzimeve dhe presioneve nga ana e Signorinit, të cilat sipas tij lidhen me premtimin për përfshirje si konkurrent në edicionin 2021 të emisionit ‘Grande Fratello Vip’.
Hetimi drejtohet nga zëvendësprokurori Alessandro Gobbis dhe prokurorja e deleguar Letizia Mannella. Deri më tani, çështja kishte si të vetmin të dyshuar Fabrizio Corona, i akuzuar për shpërndarje të imazheve me përmbajtje seksualisht eksplicite në dëm të Signorinit.
Materialet e sekuestruara, sipas burimeve hetimore, lidhen me raportet mes Medugnos dhe Signorinit.
Pas regjistrimit si i dyshuar, Alfonso Signorini është vetëpezulluar nga aktiviteti i tij në Mediaset, një vendim që është pranuar nga grupi televiziv në pritje të sqarimit të plotë të çështjes.
Sipas burimeve mediatike italiane, ekziston mundësia që Signorini të mos rikthehet në drejtimin e edicionit 2026 të ‘Grande Fratello’, deri në përfundimin e hetimeve dhe marrjen e një vendimi përfundimtar nga drejtësia.