Shqiptarët duhet ta vrasin frikën

Disa herë gjatë historisë, shqiptarët janë detyruar të bëjnë krim. Krim të rëndë. Janë detyruar të vrasin frikën. Në vitet e fundit, shqiptarët e vranë frikën vetëm më 1990 dhe fituan lirinë e tyre.

Mendoj se ata duhet të vrasin sërish frikën që të shpëtojnë nga një regjim hajdutësh e kusarësh të paskrupullt.

Duhet të vrasin frikën që të shpëtojnë nga një sistem drejtësie që vetëm drejtësi nuk jep. Drejtësi pazari.

Duhet të vrasin frikën që të gjejnë fëmijët e tyre që po u ikin rrugëve të botës. Të ndalin shpopullimin.

Nxitje për të shkruar këto radhë u bë një reagim spontan i qytetarëve të Vlorës, që kishin ditë pa ujë e më në fund, ata dolën në protestë, shpërthyen derën e teatrit të qytetit ku bashkiakët për inat të tyre po festonin eventet e fundvitit dhe me thirrje “poshtë qeveria”, “duam ujë”, “ju gala e ne pa la”, nuk u ndalën dhe bllokuan edhe  bulevardin kryesor të qytetit bregdetar. Dhe uji erdhi.

Po kush i frikëson shqiptarët. Disa e kanë në gjenezë pasi kanë qene në shërbim të diktaturës e frikën e kishin si bukën. E shumica vegjetojnë akoma në vend. As nuk kanë ikur e as nuk ikin gjëkundi. Por struken diku në ndonjë qoshe e vazhdojnë të bëjnë spiunin.

Ata që mposhtën frikën në atë kohë numëroheshin me gishta, disa u vranë nga regjimi, disa ikën përtej kufirit e te tjerë e kaluan jetën e tyre në burgje.

Disa të tjera kanë frikë për ndonjë të afërm që e kanë në punë në administratën e shtetit apo në polici… e nuk flasin, nuk reagojnë edhe kur u shkelet e drejta e u mohohet tërësisht ajo nga shteti, apo nga drejtësia. Fjala, mos se po na prish punë, është magneti që nuk i shtyn por i tërheq nga çdo lloj iniciative.

Disa të tjerë bien lehtë pre e propagandës së trushpërlarjes rilindase që Rama dhe ushtarët e tij në mediat kombëtare me licencë, që i ka bërë edhe investitorë strategjikë e milionerë pa asnjë kontribut apo ide, e ofrojnë ditë për ditë.

Disa të tjerë e hanë shpejt presionin e ndonjë ushtari rilindas, apo ndonjë patronazhisti që vegjeton rrugëve të Tiranës e merr rrogën tek drejtoria e pyjeve në Kukës.

Disa të tjerë nuk e bëjnë për shkak të përfitimeve që njerëz të afërt kanë nga tenderat që vidhen ditë për ditë nga qeveritarët e zyrtarët. Rrinë aty e vështrojnë si dhelpra që pret t’i bjerë rrushi nga dega. Po nuk rrodhi, do pikojë. Turp.

Disa të tjera presin që frikën ta vrasin ata të tjerët, pse ta bëjë ai. E kështu psikologjikisht ndahen gjërat. Asnjë nuk e vret frikën duke pritur që të bëjë ai tjetri. Është bërë si puna e firmave tek tenderat. Prit se mos e firmos ai tjetri se unë kam frike se do ta ha burgun. Pastaj vjedhin bashkë e nuk u bën përshtypje fare, as burgu.

Njerëz të shumtë janë rehat me atë pensionin e tyre me vlerë sa një tapë e shishes së verërave që pi kreu i qeverisë. Me ato jetojnë, mbajnë frymën. Bukën e kanë te sigurt, me keq se ne kohën e diktaturës. Tmerr.

Ndërsa shumë prej njerëzve, që edhe nuk kanë frikë, i turren opozitës sikur ajo është fajtore për gjendjen ku është Shqipëria. Kjo s’ka ku të vejë, më e çuditshme se kaq.

Janë krijuar nja 6 parti që bërtasin rrugëve, që duam rrëzimin e Edi Ramës, por që asnjë prej tyre nuk mbledh me shumë se 55 veta. Ata as nuk kanë vrarë frikë e as e kanë ndërmend se janë me mision me aq “Mundësi” sa kanë.

Pra, frika ka pushtuar shqiptarët. Dhe me e bukura është se kur zihen për një kanal uji, për një femër, apo për një gërvishtje makine, nxjerrin armët e qëllojnë pa siklet, pa frikë. Vrasin njerëz.

Por frikën për të kundërshtuar hajdutët në qeveri nuk e vrasin dot. Frikën që të rrëzojnë qeverinë e kanë frikë ta luftojnë. Pra gjithçka ka të bëjë me frikën. Kur shqiptarët të marrin fatin e tyre në dorë, atëherë edhe qeveria më e frikshme në botë, më hajdute në botë, më bandë në botë, më grup i strukturuar kriminal në botë, më orgji në botë, me bastarde në botë, do të ketë frikë. Po shumë frikë. Protesta i ndihmon që shqiptarët të vrasin frikën. Prandaj opozita nuk duhet të ndalet.