SPAK kërkon arrestimin/ Rama: Belindën do e gjykoj vetë me gjykatën e ‘partisë’

Kryeministri i vendit i pyetur për marrjen nën hetim të zëvendëses së tij dhe për 16 mijë fletët e dosjes së SPAK ka vijuar me mbrojtjen direkte për Belinda Ballukun.

Sipas tij, "dosja e SPAK nuk është dosje". "Aty janë të gjithë dokumentat e ministrisë". Ndërkohë që në materialin e sjellë nga SPAK në Kuvend ku kërkohet heqja e imunitetit për Ballukun dhe arrestimi i saj ka akuza shumë të rënda që tregojnë abuzimet me paratë publike por edhe kërcënimet për ata që kanë dhënë dëshmi para prokurorëve specialë.

“Pushteti legjislativ duhet të shprehet nuk është noter. Këshilli i Mandateve nuk është zyrë noterie por gati një gjykatë.  Nuk do të doja të përmendje 16 mijë faqe në prova se ajo më provokon. Po të isha unë në atë këshill do i thoja çohuni ikni dhe kthehuni me një dokument të përgatitur për kuvendin. 16 mijë faqe nuk janë produkt i hetimit se nuk kanë si të jenë. Janë 16 mijë faqe ku janë futur brenda kontrata, studime, pra arkivi i ministrisë futur brenda. 16 mijë faqe janë vandak me dokumente. USB nuk e ka tërhequr asnjë deputet i PS-së dhe as ministrja, avokati, për të mos krijuar asnjë shteg që të tjerët të thonë i kanë nxjerrë këta ato”, tha Rama para gazetarëve.

Ai e quajti shkresën e SPAK një “kërkesë skandaloze për pezullim e pandodhur në historinë e botës”. Ndërkohë që do të duhej thjesht ta respektonte kërkesën dhe të jepte miratimin e tij dhe deputetëve të PS për ti hequr mandatin. Mosrespektimi i kërkesës është një shkelje flagrante e rregullave të demokracisë dhe kushtetutës. Këto teoritë me “nuk ka ndodhur askund”, apo “ku është parë”, ai i përdor për të manipuluar publikun.

Ndërkohë që nuk shpjegon se ku është parë që një zëvendës kryeministre të vjedhje me një të rënë të lapsit 50 milionë euro siç është afera e Tunelit të Logarasë. Pa përmendur akuzat e tjera për atë dhe bashkëpunëtorët e saj.

Pra Rama vijon qetësisht më presion ndaj drejtësisë dhe me anashkalimin e dhënies së lejes që organet hetimore të vijojnë me arrestimin e zëvendëses së tij.

Frika që prangat i janë afruar kaq afër duket se e ndikon kreun e qeverisë që duket qartësisht që i ka humbur qetësia. Dhe vijon të gjykojë vjedhjen vetëm me partinë e tij duke sulmuar dhe anatemuar drejtësinë që e ka për detyrë ta bëjë një gjë të tillë./E.I/