KOSOVË, URIME FITOREN

Në zgjedhjet parlamentare të së dielës nuk fitot Livizja Vetvendosje, por Kosova.

Këtë fitore të saj e  madhëruan edhe drejtuesit e partive që i humbën ato, e të cilët nuk shkelën mbi dinjitetin e vet dhe e pranuan rezultatin zgjedhorë.

Kuptohet, kjo nuk vlen për kryetarin e AAK’së i cili, i mësuar të jetë në krye të Kosovës edhe kur është bishti i saj, pra i mësuar që gjithmonë të jetë pranë grazhdit të pushtetit, u ngut që para kohe të tregojë se kush duhet ta drejtojë vendin.

Zgjedhjet e së dielës përfundimisht e shkëputën Kosovën nga rreziku që ajo të bie në duart e politikanëve që nuk e kishin kuptuar se ta zhvatësh Kosovën është njësoj si të ushqehesh me gjakun e atyre që flijuan rini e jetë për lirinë e saj.

Pra Kosova ishte dhe mbeti shkollë e demokracisë për mbarë shqiptarinë. Gjë që kurrë nuk ia doli të bëhet Shqipëria ku asnjëherë dhe askush nuk i pranoi rezultatet zgjedhore, me çka mëmëdheu arriti këtu ku ndodhet sot: u bë atdhe i politikanëve hajdut të “Rilindjes”. 

Për këtë fitore të madhe, para  së gjithash, Vetvendosja duhet t’i falënderojë disa televizione ku nga pesë e gjashtë debatues– me në krye drejtuesit e emisioneve - villnin urrejtje ndaj Kurtit.

Dhe ku politikanë të verbëruar nga etja për pushtet, Kurtin e barazonin me Millosheviqin dhe thoshin se përe ata, Lëvizja Vetvendosje, e jo ‘Lista Sërpska’ e Vuçiqit, është e keqja e Kosovës!?

Me çka shpeshherë të krijohej përshtypja se mos vallë je duke ndjekur televizione serbe, e ku debatohet shqip?!