Rinovimi i Yildiz nuk varet vetëm nga paratë, ja çfarë kërkon turku

Rinovimi i kontratës së Kenan Yildiz te Juventus nuk është thjesht një çështje e parave. Talenti i vitit 2005, tashmë simbol teknik dhe mediatik i projektit bardhezi, kërkon siguri se klubi do të jetë realisht konkurrues për titullin dhe do të luajë rol kryesor edhe në Evropë, raporton ‘Corriere dello Sport’. Mbajtja e fanellës me numër 10 është përgjegjësi e madhe për Yildiz, i cili e sheh atë vetëm si pjesë e një projekti ambicioz, frymëzuar nga modeli i tij i referencës, Alessandro Del Piero.

Negociatat pritet të rifillojnë së shpejti. Në tavolinë do të jenë familja e lojtarit, me mbështetje ligjore, dhe drejtuesit e Juventusit për të hartuar një kontratë të re që të zgjatë marrëveshjen aktuale deri në vitin 2029.

Aktualisht Yildiz fiton rreth 1,7 milionë euro në sezon, ndërsa oferta e klubit shkon rreth 4,5 milionë euro. Përfaqësueësit e tij synojnë një pagë më pranë 6 milionëve, në nivel me lojtarët më të mirë ndërkombëtarë, si Jonathan David. Diferenca pritet të zgjidhet përmes bonuseve të lidhura me performancën dhe rezultatet e ekipit.

Raporti i tij me trajnerin Luciano Spalletti është një tjetër element kyç. Trajneri e konsideron Yildiz-in shtyllën kryesore të sulmit, duke vlerësuar personalitetin dhe aftësinë për të vendosur ndeshjet, siç dëshmojnë pesë golat e tij deri tani në kampionat. Po të njëjtën vlerësim ka dhënë edhe trajneri i Turqisë, Vincenzo Montella.

Ndërkohë, derisa marrëveshja nuk mbyllet, interesat e klubeve të huaja nuk mungojnë: Liverpool, Arsenal, Chelsea dhe Real Madrid e ndjekin me vëmendje lojtarin. Juventus nuk ka vendosur kurrë një çmim fiks për Yildiz, duke treguar qartë se ai konsiderohet themelor, jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen e klubit bardhezi.