FOTO/ Shkolla e re 9-vjeçare 'Hoxha Tahsin', gati për njëmijë nxënës në shtator

Shkolla e re e rindërtuar “Hoxha Tahsin” do të çelë dyert për një mijë nxënësit e saj në shtator. Ajo është e para ndër 20 shkollat e reja që Bashkia e Tiranës do të ndërtojë në kryeqytet, falë planit të saj ambicioz për shmangien e mësimit me dy turne. Ndërkaq, në shtator pritet të hapin dyert edhe 3 shkolla të reja, “Betim Muço” në Kombinat, “Ardian Klosi” në Njësinë 4 dhe Shkolla e Baletit, e cila është drejt rikonstruktimit të plotë.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet e fundit në shkollë dhe siguroi se ajo do të ofrojë kushte bashkëkohore për të gjithë nxënësit. "Do ta mbarojmë në kohë rekord, kemi edhe 3 javë për t’i dhënë dorën e fundit sistemimit të klasave dhe “Hoxha Tahsin” do të jetë padyshim shkolla e parë e 20 shkollave të reja që do të ndërtojmë në Tiranë”, tha Veliaj.

Ai garantoi se deri në përfundim të mandatit të parë do të jenë ndërtuar 20 shkolla të reja, për t’i dhënë fund për herë të parë mësimit me dy turne në kryeqytet:  “Duke filluar nga muaji shtator do të hapim shkollat ‘Hoxha Tahsin’, ‘Betim Muço’ në Kombinat, ‘Ardian Klosi’ te Bregu i Lumit dhe aktualisht janë hedhur themelet e shkollës ‘Kosova’. 

Kryebashkiaku u bëri thirrje prindërve të Njësisë Nr.2 që të regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollën e re “Hoxha Tahsin”, e cila do të ketë jo vetëm mjedise më të mira studimi, por njëkohësisht edhe më pak nxënës në klasa, duke rritur cilësinë e mësimdhënies. “Aktualisht kemi disa shkolla të mbingarkuara edhe në Njësinë 2, në Njësinë 8, në gjithë zonën rreth “Pazarit të Ri”, ku janë me dy turne “Fan Noli” dhe Shkolla e Kuqe. Thirrja që kam për të gjithë prindërit, është që kemi një hapësirë fantastike për të bërë regjistrime në shkollën e re “Hoxha Tahsin”. Regjistrimet në shkollën e re tashmë kanë filluar, duke filluar nga data 1 shtator bëhen zyrtare. Kemi mjaftueshëm hapësirë edhe për të çliruar turnin e dytë nga “Fan Noli” dhe Shkolla e Kuqe, ndaj kërkesa ime për gjithë komunitetin është të fokusohen te kjo shkollë. Kjo është një shkollë që ka 20 klasa, 6 laboratorë, 4 kate, palestër dhe të gjitha nevojat bazike për të pasur një hapësirë dinjitoze për mësimdhënien”, u shpreh Veliaj.

Ai shtoi se “çerdhet dhe kopshtet do të jenë të hapura gjatë gjithë muajit gusht. Do të thotë që çdo prind, i cili detyrohet të punojë gjatë muajit gusht, të ketë gjithmonë një mundësi për ta lënë fëmijën në një çerdhe apo në një kopsht të qytetit të Tiranës”

Shkolla e vjetër 9 vjeçare “Hoxha Tahsin” po rindërtohet me ambiente të dyfishuara. Shkolla e re do të ketë 4 kate me të gjitha ambientet e domosdoshme mësimore, si laboratorë dhe palestra me standarde. Gjithashtu, shkolla do të ketë edhe një terren sportiv të jashtëm. Në total ajo ka një kapacitet të përgjithshëm rreth 1 mijë nxënës.