VIDEO/ Familja në Librazhd kërcënon të vetëvritet: Po i shembin kioskën e bukës së gojës

Eshtë shtyrë vendimi për prishjen e kioskës me të cilën familja Rruplli siguronte jetesën duke shitur gazeta. Familja nga Librazhdi kishte mësuar se do i prishej kioska tre ditë më parë dhe se inspektoriati Ndërtimor i qytetit do vinte sot në orën 10:00 për ta prishur.

Duke pretenduar se kishte të gjitha dokumentacionin ligjor për biznesin me të cilin siguron jetesën, kryefamiljari kërcënoi me vetëflijim duke lyer kioskën me benzinë si dhe duke mbajtur në dorë nga një shishe me benzinë, ai, bashkëshortja dhe dy fëmijët.

Aqif Rruplli tha për Oranews. “Nuk kam çfarë të humbi më. A jetohet me 65 mijë lekë të vjetra në muaj? Çfarë  duhet ti them vajzës unë, shko prostitutë ti të paguash shkollën? Janë të gjitha faturat e paguara rregullisht”

Rruplli pretendon se ka të gjithë dokumentacionin, vendimet nga bashkia Librazhd dhe këshilli bashkiak për vendqëndrimin e kioskës ku prej 7 vitesh familja shet gazeta dhe siguron bukën e familjes.

Po kështu ai thotë se është pagues i rregullt i taksave.  Ai kishte vendosur përpara kioskës disa postera ku i drejtohet deputetit të zonës Taulant Balla dhe kryeministrit Edi Rama të ndërhyjë pasi sipas tij po bëhet padrejtësi.

“Bashkia Librazhd (Kaçi) të merr taksat bukën dhe shpirtin” shkruhet me shkrim dore në një prej tabakëve të bardhë ku kërkohej ndërgjegjësim.

Ai kërkon ndihme nga kryeministri. Të ardhurat e vetme të kësaj familjeje janë kjo kioskë dhe një asistencë prej 6 mijë lekësh të reja në muaj.

Aqif Rruplli: “Kur e kam marrë unë në 2014 ka qenë tokë shtetërore, tani figuron mbivendosje. Dikush këtu do që unë të largohem. Atëherë më gjeni një vend tjetër ku të futem. Unë dua të jetoj. Edhe frymën do të ma merrni?! Zoti kryeministër, unë nuk dal prej këtu pa ardhur një përfaqësues i juaji”

Pasi historia u bë publike në Ora News, bashkia vendosi të shtyjë prishjen dhe të gjejë zgjidhje për konfliktin e krijuar.