Vendi në prag të kolapsit energjitik, përse Banka Botërore i ka bllokuar Ramës, fondin për blerje jashtë?!

Pak javë më parë mediat pranë kryeministrit, akuzuan gjatë muajit Korrik drejtorin teknik të Partisë Demokratike të KESH, se nuk po firmosnin përdorimin e një fondi prej 22.4 milion euro, për blerje energjie, duke qenë se prodhimi vendas ka arritur në pikën e fundit.

Pas kësaj me një ndërhyrje plot pompozitet që u amplifikua fortë në mediat qeveritare, Edi Rama bëri “shpëtimtarin”, duke “firmosur” fondin në fjalë, për muajin gusht. Por kanë ikur tetë ditë nga ky muaj, thatësira e madhe ka paralizuar liqenet dhe hidocentralet e vendit dhe ato para për blerjen urgjente të energjisë, nuk po duken gjëkundi. Kjo për faktin se 22.4 milion eurot e Ramës, në fakt janë një kredi e kërkuar nga Banka Botërore, e cila nuk po hap rrugë për lëvrimin e saj.

Aktualisht prodhimi vendas siguron më pak se 20% të nevojave dhe shifra po ulet në proporcion të drejtë me thatësirën, çdo ditë e më shumë. Burime zyrtare të KESH thanë për mediat dy ditë më parë, se BB nuk po kthyer përgjigje për përdorimin e kësaj shume për blerje energjie, edhe pse janë në bisedime për rreth 20 ditë. KESH thotë gjithashtu se në momentin që do të marrë këtë fond do të nis urgjentisht edhe blerjen nga operatorët e huaj.

Thatësira që nuk ka të ndalur e ka çuar faturën e humbjeve për hidocentralet vendase (kryesisht në kaskadën e Drinit) në mbi 60 milion euro. Ndërkohë mësohet se niveli i ujit në hidrocentralin e Fierzës parashikohet të mbetet në të njëjtat kuota, edhe për Shatorin gjë që do të thotë se nëse Banka Botërore nuk “pushon së menduari”, vendi rrezikon të futet në kolaps energjitik.

Syri.net