'Rama përmbushi vetëm një prioritet- shpopullimin e Shqipërisë'/ Haxhiu: Mos ta quajmë më kryeministër por...
Gjatë një fjalimi të mbajtur para protestuesve, në Foltoren e PD para Kryeministrisë, përfaqësuesja e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu, ka lëshuar akuza të rënda në drejtim të qeverisë, duke e cilësuar atë si një "diktaturë" të zhytur në korrupsion. Haxhiu deklaroi se "sektit të Rilindjes i ka ardhur fundi" dhe se Shqipëria duhet t'u përkasë shqiptarëve dhe jo "maskarenjve".
Në fjalën e saj, ajo theksoi se qeveria i ka mashtruar qytetarët, përfshirë edhe ata që e kanë votuar, përmes propagandës së "Rilindjes urbane" dhe medias së blerë. Sipas saj, investimet janë përqendruar në fasada dhe jo në infrastrukturë jetike si rrugë, kanalizime apo ujësjellës. Ajo denoncoi abuzimin me fondet publike, duke sjellë si shembull ironik koston prej 200 eurosh për një "kof bojë", duke lënë të kuptohet për një shpërdorim masiv të parave të taksapaguesve.
Haxhiu vijoi duke përmendur se kryeministri Edi Rama nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet e tij, duke lënë vendin me rrogat dhe pensionet më të ulëta në Europë, por me çmimet më të larta. Ajo theksoi se i vetmi "prioritet" i përmbushur nga Rama është "shpopullimi i Shqipërisë".
Haxhiu bëri një propozim i drejtpërdrejtë për të pranishmit. Ajo i kërkoi qytetarëve që Edi Rama të mos quhet më "kryeministër i shqiptarëve", pasi, ai nuk e meriton këtë titull. Në vend të kësaj, ta quajmë si "njeriu më i urryer dhe krimineli i shqiptarëve", një deklaratë e fortë që u bëri jehonë thirrjeve për ndryshim rrënjësor.
Haxhiu:
Ju që me zemër dhe shpirt kërkoni ndryshimin, kërkoni rrëzimin e kësaj diktature, sot jemi më pranë se kurrë. Korrupsioni e ka zhytur këtë qeveri. Sekti i Rilindjes i ka ardhur fundi. Tani është koha që Shqipëria të mos jetë më e maskarenjve, por të jetë e shqiptarëve. I bëj thirrje çdo qytetari të ndershëm, çdo njeriu të lirë, çdo analisti dhe çdo opozitari, të bashkohemi.
Nuk kanë faj shqiptarët edhe ata që kanë votuar Rilindjen, sepse janë mashtruar nga media e blerë, nga propaganda e Rilindjes urbane, që nuk investoi në infrastrukturë, në rrugë, kanalizime, ujësjellës, por investoi në fasadë. U vodhën të gjitha fondet, derisa edhe një kof bojë kushton 200 euro për Rilindjen. Mendoni vetë si kanë abuzuar me fondet e tjera. Propagandë bën me 1 milion pemë, por edhe me vende pune. Por tani u çorr maska kësaj qeverie.
Çdo shqiptar tani e di, çdo patronazhist e di, se kjo qeveri nuk na çon në Europë, por ndjek fëmijët tanë rrugëve të Europës. Nga të gjitha premtimet e mëdha që bëri Edi Rama kur erdhi në pushtet, nuk ka bërë asgjë. As rrugë ka bërë, as drita, as ujë nuk u ka sjellë qytetarëve nëpër zonat periferike, nëpër fshatra, rrogat më të ulëta, pensionet më të ulëta në Europë, por ama çmimet më të larta se kudo. Sepse Edi Rama ka përmbushur vetëm një prioritet të tijin, shpopullimin e Shqipërisë. Kjo qeveri ka vjedhur paratë e shqiptarëve, ka shitur pasuritë kombëtare. Pra ka kryer krim kombëtar. Ndaj miq, kam sot një propozim për ju. Mos e quani më Edi Ramën kryeministër të shqiptarëve. Ai nuk e meriton këtë emër. Nuk i afrohet as shkallës më të ulëta, më të ulët që të jep ky pozicion. Mendoni një emër që i përshtatet atij. Ai nuk është kryeministri i shqiptarëve, por është sot njeriu më i urryer dhe krimineli i shqiptarëve.