Thirrja e qytetarit nga Foltorja e PD: Mos e shisni votën, dinjiteti dhe e ardhmja e fëmijëve nuk kanë çmim...

Edmir Çekrezi i ardhur nga diaspora, mbajti një fjalim të fortë nga foltorja e Partisë Demokratike, duke denoncuar korrupsionin, kapjen e shtetit dhe shitjen e votës si plagë që po shkatërrojnë shoqërinë shqiptare.

Ai u bëri thirrje qytetarëve brenda dhe jashtë vendit të reflektojnë dhe të mos sakrifikojnë dinjitetin për interesa të përkohshme, duke theksuar se vetëm përmes guximit qytetar dhe bashkimit mund të vijë ndryshimi i vërtetë për Shqipërinë.

Qytetari: Të dashur miq, vëllezër dhe motra, kudo që ndodheni sonte. Ju uroj gëzuar festat. Mirëmbrëma doktor Berisha. Sonte, përtej dritave të festës, jam këtu për të ndarë një dhimbje që na bashkon të gjithëve, gjendjen e Shqipërisë sonë. Në vend të shpresës dhe hapave drejt Evropës, ne po përjetojmë çdo ditë zhgënjim. Jemi dëshmitarë të një realiteti ku korrupsioni është bërë normalitet, ku policia ulet në gjunjë përpara bandave dhe ku ministrat zgjidhen dhe u shërbejnë grupeve kriminale. Po jetojmë në një vend ku shëndetësia nuk funksionon dhe qytetarët ndihen të pambrojtur përballë sëmundjes dhe varfërisë. Ky sistem na ka lodhur, na ka varfëruar dhe mbi të gjitha po na zbraz shtëpitë nga njerëzit tanë të dashur.

Dhe jemi këtu sepse kjo bandë, tashmë e konfirmuar dhe nga organet e drejtësisë dhe mbarë bota, që drejton vendin tonë, ka vjedhur dhe ka blerë votën e lirë. Sonte po ju pyes drejtpërdrejtë, pse ne e pranojmë këtë? Pse po heshtim? Më dhimbset kur shoh se si shitet vota. Ju pyes me zemër në dorë, pse e shisni votën tuaj? Pse për një vend pune të përkohshëm pranoni të shisni dinjitetin? Po e shisni për një rrogë që nuk vlen as sa një gotë verë që pi kryeministri juaj, ndërkohë që juve nuk ju mjafton as për bukën e muajit e jo më për të rritur fëmijët këtu. Dhe këtu qëndron ironia më e madhe. Ju sakrifikoni dinjitetin për atë vend pune, por në fund të muajit jetoni me remitancat dhe ilaçet që ju sjellin fëmijët nga emigrimi. Po ata fëmijë që ju vetë i keni përzënë, sepse në këtë vend rroga dhe vendi i punës nuk jepen me meritë, por me servilizëm. Ju lutem, reflektoni në këto ditë festash, kur shihni fëmijët në sy, mendoni për të ardhmen e tyre. Mos rrini indiferentë vetëm për të mbrojtur një vend pune. Vendi i punës nuk mbahet duke ulur kokën, por duke kërkuar meritokraci. Unë që ju flas sonte vij nga diaspora. Vij nga ajo pjesë që u largua me dhimbje, por kurrë nuk e hoqi mendjen nga atdheu.

Dhe kam një mesazh për të gjithë motrat dhe vëllezërit e mi në emigrim. Ne e dimë ç'do të thotë të ndërtosh jetën me djersë në dhe të huaj. Por nuk mjafton më vetëm të dërgojmë para dhe të qajmë nga larg. Zëri ynë ka peshë. Ne duhet të jemi grushti që godet korrupsionin. Duhet të bëhemi bashkë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, për të kërkuar llogari, transparencë dhe institucione që u shërbejnë njerëzve, jo Belindëve, Ergysëve dhe klaneve të tyre. Të dashur miq, ndryshimi nuk vjen vetvetiu, ai vjen kur ne e ngremë zërin. Pa dhunë, por me guximin e një qytetari që pranon, që nuk pranon më të shkelet. Të ngrihemi për prindërit tanë që meritojnë një pleqëri me dinjitet, për fëmijët tanë që duan të rriten dhe meritojnë të rriten në vendin e tyre. Sepse Shqipëria është e jona dhe vetëm ne mund ta bëjmë atë më të drejtë, më të sigurt dhe mbi të gjitha më dinjitoze. Dinjiteti nuk ka çmim.