'Pseudo-qeveri dhe sistem i kalbur'/ Protesta e opozitës, i riu i Brain Gain thirrje diasporës: Mos e harroni atdheun

Protesta e përjavshme e opozitës para Kryeministrisë u shndërrua në një arenë ku hallet e përditshme të qytetarëve u ndërthurën me strategji të reja politike, të frymëzuara nga modelet ndërkombëtare.

Një perspektivë erdhi nga Albi Bylykbashi, një inxhinier që punon në Paris dhe anëtar i Departamentit “Brain Gain” të Partisë Demokratike. Ai theksoi se pavarësisht se jeton jashtë, ai mbetet i lidhur ngushtë me zhvillimet në atdhe.

Bylykbashi prezantoi një strategji të re politike, të cilën e quajti “formula Trump”, duke u bazuar në fitoren e fundit të republikanëve në SHBA. Sipas tij, fitorja amerikane u arrit përmes tre pikave kyçe që opozita shqiptare duhet të adoptojë: së pari, “goditja e lëvizjeve divergjente brenda shoqërisë” dhe promovimi i unitetit; së dyti, spastrimi i partisë nga individë “të shitur tek armiqtë politikë”; dhe së treti, një fushatë aktive dhe agresive që promovon vlerat e së djathtës dhe godet kundërshtarin “deri në rrënjë”, duke ekspozuar skandalet dhe lobimet e tij, të cilat ai i lidhi me figurën e George Soros.

Bylykbashi u bëri thirrje të rinjve të larguar nga Shqipëria që të mos e harrojnë atdheun dhe të kontribuojnë për rindërtimin e tij. Ai e quajti qeverinë aktuale një “narko-shtet” dhe një “pseudo-qeveri”, duke ftuar qytetarët të bashkohen për të rrëzuar një sistem që, sipas tij, është “i kalbur nga korrupsioni”. Mesazhi i tij ishte i qartë: Shqipëria meriton të drejtohet nga njerëz me vlera, parime dhe vizion. 

Bylykbashi:

Të nderuar qytetarë, të nderuar demokratë, të nderuar deputetë, i nderuar kryetar i Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berisha. Unë jam Albi Bylikbashi dhe flas sot para jush si anëtar i Departamentit Brain Gain. Si shumë të rinj të larguar nga Shqipëria ndër vite, unë jam shkolluar jashtë vendit dhe aktualisht punoj në Paris si inxhinier. Pavarësisht angazhimeve të mia atje, unë sytë, veshët dhe mendjen i kam tek ecuria e kombit tim. Sot, falë Departamentit Brain Gain, mua më është dhënë mundësia si një shqiptar larg vendit, të kontribuoj në veprimtarinë e Partisë Demokratike, vlerave të së cilës unë i përmbahem.

Departamenti Brain Gain është krijuar si strukturë mbështetëse e Partisë Demokratike me qëllim aktivizimin e trurit shqiptar kudo ndodhur, për rikthimin e një shteti në radhë të parë funksional e më pas të një shteti prodhues. Propozim dhe veprim, janë dy fjalët kyçe në këtë departament. Partia Demokratike ka lindur nga një lëvizje studentore dhe duhet t'i qëndrojë gjenezës së saj duke patur forcë shtytëse të rinjtë. Prandaj të rinj e të reja, jeni të mirëpritur në këtë departament, të shtroni dhe të mbroni idetë tuaja deri në realizimin e tyre. Shtylla kryesore e programit tonë është anti-propaganda, për të cilën, një shembull konkret është edhe projekti i librit Punëve të Mira, një trase e të gjitha arritjeve të Partisë Demokratike gjatë qeverisjes së saj. Projekte të tjera e pasojnë.

Të nderuar miq, sot mjafton të ndizni televizorin, të aksesoni rrjetet sociale për të parë se deri në çfarë niveli qeveria aktuale ka përgënjeshtruar dhe vazhdon të përgënjeshtrojë realitetin që i troket çdo ditë e më fort në derë çdo shqiptari. Një realitet të cilin qeveria mundohet ta shmangë dhe ta përdorë në favor të saj, por që fatkeqësisht është një realitet krejt i hidhur për shqiptarët dhe Shqipërinë. Sot një shqiptar nuk ndihet i sigurt në vendin e tij. Nuk mund të marrë shërbimet bazë, nuk mund të ketë mundësi në një punësim cilësor, nuk mund të arsimohet ashtu siç nevojitet të arsimohet për t'i shërbyer më mirë vendit të tij. E për pasojë, ai zgjedh një rrugë të vështirë, plot sakrifica, jashtë Shqipërisë, që të mund të krijojë kushte për një standard normal jetese për veten dhe familjen e tij. Të nderuar të pranishëm, lindur e rritur në një familje të djathtë, unë ndjek ndër vite zhvillimet e Partisë Demokratike në Shqipëri, por edhe të partive të djathta nëpër Europë e në botë.

Në një botë globaliste ku socializmi i George Soros-it luan kartën e lëvizjeve divergjente shkatërruese për shoqërinë, e djathta i kundërpërgjigjet me idealet e saj të palëkundura. Ky fenomen ndodhi në Amerikë, kur George Soros bashkë me shushunjat e tij në sistemin gjyqësor dhe politik u shkulën me forcë nga votat e amerikanëve. Tri pika sollën fitoren historike të republikanëve përtej programit politik. Donald Trump krijoi një fushatë mbresëlënëse në terren, por sidomos nëpër rrjetet sociale, duke u mbështetjur tek: një, goditja e lëvizjeve divergjente brenda shoqërisë dhe përqafimi i unitetit të popullit amerikan. Dy, goditja e njerëzve të dobët politikisht brenda partisë së tyre që ishin shitur tek armiqtë e tyre politikë. E fundit por jo nga rëndësia, fushata aktive, dinamike, pro vlerave të së djathtës dhe goditja e kundërshtarit deri në rrënjë, duke cekur skandalet, si dhe lobimet e forta anti-humanitare të George Soros-it. Le të marrim mësim nga kjo fitore.

T'ia aplikojmë këto metoda dhe në betejën tonë politike në Shqipëri. Partia Demokratike e Shqipërisë është bërë tashmë pjesë e kësaj rryme të fortë që po rimëkëmb të djathtën në çdo skaj të globit dhe këtë lëvizje nuk e ndalon dot as poltronaxhistët, as Edi Rama e as miqtë e tij nëpër botë. Të nderuar të rinj dhe të reja që ashtu si unë jeni larguar nga Shqipëria, mos e harroni tokën ku kemi lindur, mos e harroni tokën ku ka lindur prindërit e gjyshërit tanë. Mos e harroni këtë vend që na ka mësuar shqip e që na ka falur këto vlera e këto tradita. Ta duam këtë vend sepse mund të jetë nesër vendi që do të rrisin fëmijët tanë.

Ejani ta rindërtojmë së bashku Shqipërinë, sepse thellë-thellë, çdonjëri prej nesh është i gatshëm të kthehet në qoftë se krijohen kushtet për një mirëqenie. Këto kushte nuk kanë qenë asnjëherë prioritet i qeverisë Rama. Prandaj le të bëhemi së bashku e ta ulim në gjunjë këtë narko-shtet, ta zhveshim këtë pseudo-qeveri nga pseudo-fitorja, ta hedhim poshtë këtë sistem të kalbur deri në rrënjë në korrupsion, t'i bindim njerëzit rreth nesh se Shqipëria meriton të drejtohet nga njerëz me vlera, me parime, me dinjitet, me vizion dhe që e duan Shqipërinë. Për ta mbyllur, ju uroj të gjithëve gëzuar Vitin e Ri 2026, qoftë viti i fitores tonë. Ju faleminderit!