Mauricio Sarri operohet në zemër, Lacio jep detaje për gjendjen e trajnerit

Trajneri Mauricio Sarri i është nënshtruar një operacioni në zemër.

Klubi i Lacios tregon se tekniku italian do të jetë i gatshëm që të bashkohet me skuadrën në ditët e ardhshme.

Njoftimi i Lacios:

“Lacio njofton se trajneri Mauricio Sarri, pas konstatimit të një fibrilacioni atrial, i është nënshtruar në Poliklinikën Tor Vergata një ndërhyrjeje ablacioni transkateter me teknologji PFA.

Ndërhyrja, e kryer nga profesori Andrea Natale, pionier në nivel ndërkombëtar dhe me mbi 30 vjet përvojë në trajtimin e kësaj patologjie, u zhvillua me sukses.

Në ndërhyrje ishte i pranishëm edhe mjeku i Lacios, doktor Italo Leo.

Trajneri do të rifillojë rregullisht drejtimin e skuadrës në ditët në vijim.

Lacio dhe trajneri falënderojnë Poliklinikën Tor Vergata dhe ekipin e profesorit Natale për profesionalizmin e lartë dhe për cilësinë e kujdesit shëndetësor që u garantohet çdo ditë të gjithë pacientëve”.