Marokut i rikthehet lideri, Hakimi gati të japë kontribut pas 55 ditësh mungesë

Maroku më në fund mund të buzëqeshë: Achraf Hakimi është gati të rikthehet në fushë pas 55 ditësh pauzë të detyruar. Kapiteni i “Luanëve të Atlasit” ka lënë pas dëmtimin në kyçin e këmbës së majtë, të pësuar në përballjen kundër Bayern Munich në Champions League, dhe pritet të aktivizohet në ndeshjen ndaj Zambias, duke nisur zyrtarisht aventurën e tij në Kupën e Afrikës.

Në konferencën për shtyp para sfidës, Hakimi u shfaq i vendosur dhe me mesazh të qartë për ambientin përreth Kombëtares:

“Na duhet mbështetja e të gjithëve, tifozëve dhe medieve. Nuk më pëlqeu ajo që ndodhi me fishkëllimat në ndeshjet e para. Luajmë në shtëpi dhe kemi nevojë për unitet që ta fitojmë këtë CAN”, theksoi mbrojtësi i PSG-së.

Trajneri Walid Regragui konfirmoi se Hakimi do të jetë pjesë e ndeshjes, qoftë edhe për disa minuta:

“Kemi luajtur dy takime pa kapitenin tonë, pa një nga lojtarët më të mirë në botë. Me Achrafin në fushë, Maroku është një skuadër krejt tjetër”, u shpreh tekniku.

Procesi i rikuperimit është ndjekur me kujdes maksimal nga stafi mjekësor i Kombëtares, i drejtuar nga Christophe Baudot, së bashku me fizioterapistin Victor dhe bashkëlojtarin Nayef Aguerd. Falë një programi të personalizuar dhe progresiv, Hakimi është tani plotësisht i gatshëm.

Rikthimi i tij vjen me motivim shtesë, sidomos pas zhgënjimit në edicionin e kaluar të CAN-it, ku Maroku u eliminua nga Afrika e Jugut dhe Hakimi humbi një penallti vendimtare. Tashmë, kapiteni synon revanshin dhe dëshiron ta udhëheqë Marokun drejt çerekfinaleve, me shpresën se rikthimi i tij do të jetë pika e kthesës në këtë turne.