SYRI TV/ Banorët e Surroj e Kolsh protestë: Protestojmë për rrugën, Balluku na ka premtuar gjatë fushatës
Rruga e amortizuar Mamëz–Surroj, e mbushur me balte dhe gropa, ka ngritur përsëri në protestë banorët e Njësive Administrative Surroj dhe Kolsh. Ata u mblodhën para Bashkisë së Kukësit, ku kërkuan rehabilitimin e këtij aksi rrugor dhe theksuan se qeveria i ka diskriminuar prej vitesh, duke mos bërë asnjë investim në këtë fshat.
Banorët e fshatrave Surroj dhe Kolsh janë të zhgënjyer dhe shprehen se deri tani kanë marrë vetëm premtime elektorale të pambajtura, ndërsa kërkojnë zgjidhje reale për këtë problem. Ata paralajmëruan se nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, do të shkallëzojnë protestat dhe do të ndërmarrin veprime më të forta.
Në protestën e mbajtur këtë të hënë, banorët mbajtën pankarta me mbishkrime si "70 milionë euro të ardhura nga Mamëzi, zero investime për këtë fshat", duke theksuar se ndihen të diskriminuar dhe të lënë pas dore nga Bashkia e Kukësit dhe nga qeveria. Ata shpjeguan se rruga Mamëz–Surroj, që është rreth 30 kilometra e gjatë, është një arterie e rëndësishme që lidh disa fshatra me qytetin e Kukësit dhe është e papërballueshme për shkak të kushteve të këqija të infrastrukturës.
Pjesë e protestës ishin edhe nxënësit, të cilët shpallën se do të bojkotojnë mësimin nëse nuk do të ndërmerren masa konkrete për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe infrastrukturës.
Në reagim, Bashkia Kukës njoftoi se projekti për rehabilitimin e rrugës Mamëz–Surroj është përfshirë sërish në listën e investimeve prioritare për vitin 2026, me një vlerë prej 521 milionë lekësh. Sipas njoftimit, rruga do të ndërtohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe aktualisht ndodhet në fazën e prokurimit. Gjithashtu, Bashkia Kukës ka kërkuar financim për këtë projekt nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, pasi ka theksuar se është e pamundur që të mbulojë investimin me të ardhurat e veta.