SYRI TV/ Elbasan, qytetarët ankohen për çmimet e larta: E pamundur të mbushim tryezat
Në prag të festës së ndërrimit të viteve, çmimet në tregun e fruta-perimeve janë bërë të papërballueshme, sidomos për pensionistët. Qytetarët shprehen se pensionet dhe rrogat e ulëta e bëjnë të pamundur mbushjen e tryezës për natën e ndërrimit të viteve.
Në tregun e fruta-perimeve të qytetit të Elbasanit, çmimet duket se janë më të kripura se ditët e tjera, për shkak të rritjes së kërkesës. Për blerësit, kjo rritje është e papranueshme, duke pasur parasysh se pagat dhe pensionet janë shumë të ulëta, me të cilat nuk mund të përballojnë jetesën dhe çmimet e larta.
Ata shprehen se për pensionistët shporta e ushqimeve është e paarritshme dhe se këtë vit nuk do të mund ta mbushin plotësisht tryezën. Si pasojë, atmosfera do të jetë më e vakët se çdo vit tjetër.
Qytetarët theksojnë se më e vështirë do të jetë për pensionistët, të cilët nuk mund t’i përballojnë çmimet pa ndihmën e fëmijëve. Për shumicën prej tyre, emigrantët janë shpresa e vetme, dhe ata shprehen se pa ndihmën e emigrantëve, tryezat do të jenë shumë të varfra.