Ronaldo dhe episodi më i egër i karrierës së tij: Më thyen dhëmbët, tri grushte nuk i pashë nga vinin…
Ronaldo Nazario, i njohur si “Fenomeni”, vazhdon të jetë legjendë për futbollin botëror. Sulmuesi brazilian, megjithëse pësoi një dëmtim të rëndë në gju që ndikoi në karrierën e tij, gjithmonë shkëlqeu dhe ishte makth për mbrojtësit kundërshtarë.
Në një rrëfim të hapur për Juan Sebastián Verón, Ronaldo ka zbuluar një episod të pabesueshëm nga karriera e tij e hershme, kur luante për Cruzeiron si adoleshent:
“Kisha shumë vetëbesim dhe kisha thënë në një intervistë se do të shënoja tre gola në ndeshjen e së dielës. Por, sapo filloi loja, në minutën e dytë, mbrojtësi im kishte topin dhe papritmas dikush më godet me grusht nga pas. Bie përtokë, nuk e dija nga vinte. Ai më thotë: ‘Këtu nuk do të shënosh kurrë tre gola, budalla’.”
Episodi nuk mbaroi me kaq. Ronaldo tregon se brenda pjesës së parë mori tri grushte të tjera, disa pa u vënë re nga arbitri:
“Pas 10 minutash, i njëjti kundërshtar më godet përsëri, pothuajse më thyen një dhëmb tjetër. Pesë minuta para fundit të pjesës së parë, një tjetër grusht. Tri grushte kështu, pa i parë, dhëmbët e mi të thyer, gërvishtje nga të gjitha anët…”
Megjithatë, 16-vjeçari i ri nuk u dorëzua. Ai u rikthye për pjesën e dytë dhe, duke u fokusuar tek kundërshtari dhe jo tek topi, arriti të shënonte të tre golat që kishte premtuar, duke i dhënë ekipit fitoren 3-0.
Ky episod tregon jo vetëm dhuntinë dhe talentin e jashtëzakonshëm të Ronaldos, por edhe qëndresën, guximin dhe karakterin që e bënë një nga sulmuesit më të mëdhenj të historisë së futbollit. Një histori që dëshmon se legjendat nuk lindin, por forohen nga sfidat dhe vuajtjet.