Mustafaj: 'Brain Gain' do të angazhojë të rinjtë dhe profesionistët shqiptarë për zhvillimin e vendit
Në një takim ku do të vendoset drejtuesi i ri i Departamentit të 'Brain Gain', Andi Mustafaj, drejtor i Departamentit "Brain Gain", theksoi se ky hap është një mundësi e re për të angazhuar të rinjtë dhe profesionistët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit për të kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë.
Mustafaj nënvizoi se departamenti synon të tërheqë dhe të angazhojë intelektualët, specialistët dhe ekspertët që mund të sjellin njohuri dhe përvoja të reja për të përmirësuar sektorët kyç të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare.
Në fjalën e tij, Mustafaj u fokusua në rëndësinë e këtij projekti për të adresuar “brain drain”-in dhe për të krijuar mundësi të reja për të rinjtë shqiptarë të cilët kanë zgjedhur të jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Ai e konsideroi këtë iniciativë si një hap të rëndësishëm për ringjalljen e zhvillimit ekonomik dhe social, duke sjellë mendje të reja dhe ide inovative.
Pjesë nga deklarata:
Një hapësirë për çdo demokrat si filozofi u gjend në zanafillë të filozofisë sonë, duke mundësuar si asnjëherë më parë në politikën shqiptare, jo vetëm që gjithsecili të angazhohet në veprimtarinë e Partisë Demokratike nga vendi ku jeton, brenda një strukture të vetme, por edhe që gjithsecili të angazhohet sipas profilit të vet, duke thyer kështu dogmën të protestës si i vetmi mjet për të vepruar kundër regjimit. Nëpërmjet organizimit në projekte, ne mundësuam që koha që një anëtar jep të jetë sa më impaktuese. Projekti, për shkak se ka një fillim dhe një fund të qartë dhe të vlerësueshëm, mundëson që anëtarët të jenë aktivë në momente të ndryshme, duke plotësuar njëri-tjetrin dhe duke mbajtur një aktivitet intensiv në një kohë të gjatë.
Asgjë nuk bëhet në Shqipëri, asgjë nuk ndryshon. Këtë shprehje ne e kemi dëgjuar sa e sa herë në përgjithësi, por si departament e kemi dëgjuar edhe më shpesh. Pak kush besonte se njerëz të shpërndarë në katër cepat e botës do të prodhonin diçka në politikën shqiptare. Shumë e ndërlikuar, shumë ego për t'u menaxhuar, askush nuk do t'ju japë hapësirë. Na shihnin me një buzëqeshje tallëse dhe ta themi të vërtetën, në fillim na trajtonin edhe si fëmijë. Këtë qasje defetiste ne nuk e kemi pranuar në asnjë moment dhe si të tillë, treguam shembullin që duhet ndjekur duke marrë fatin tonë në dorë. Çdo projekt që kemi propozuar është miratuar nga kryetari i Partisë Demokratike dhe është realizuar. Ja pra që gjërat bëhen dhe u bënë. Forca e grupit është një krenari e veçantë për mua. Ne u njohëm në hapësirën publike si Brain Gain, jo si individualitete, por si grupim. Këtë e bëmë sepse askush nuk vendosi strukturën në shërbimin e vet personal, por në shërbim të ëndrrës sonë të përbashkët. Përballë kaosit ne treguam rrugën, për ata që duan të shohin sigurisht. Ne kryem detyrën që na ishte caktuar. Provuam se duke bashkëpunuar prodhojmë më shumë për partinë, për demokratët dhe për vendin. Mos humb kohë me gjëra që nuk i ndryshon dot vetë, ishte një parim tjetër i yni. Sa kohë harxhohet në politikën shqiptare duke u treguar të tjerëve se çfarë duhet të bëjnë? Departamenti Brain Gain vendosi si standard që të merrej vetëm me gjërat që mund të ndryshoheshin dhe vetëm atëherë kur mund t'i ndryshonim vetë.
Nuk harxhuam kështu energji duke u marrë me çështje që nuk ishin në dorën tonë, ose që ishin në kompetencën e të tjerëve. Pasuroni ose shtoni, mos përsërisni apo zëvendësoni. Ishte faqja tjetër e kësaj monedhe. Koha është gjëja më e vlefshme që ne i japim një partie, sepse është e vetmja gjë që nuk e marrim dot asnjëherë mbrapsht. Shëndeti edhe kthehet, leku po e po, koha asnjëherë. Ndaj ajo duhet vlerësuar dhe përdorur për të sjellë vlerë të shtuar dhe jo përsëritje apo zëvendësime brenda partisë. Sigurisht dëshira ishte, është dhe do të jetë gjithmonë e madhe që të bëjmë më shumë. Që të merremi me gjëra që të tjerët t'i bëjnë keq ose që nuk i bëjnë fare. Është prirje natyrore e njeriut kjo. Por është thelbësore që sot, në kushtet ku jemi, profesionalizimi, ndarja dhe respektimi i detyrave, besimi tek tjetri, të rrënjosen në organizimin e Partisë Demokratike. Secili duhet të bëjë pak, secili duhet të bëjë detyrën e vet dhe vetëm detyrën e vet. Kush propozon realizon është parimi që mundëson rritjen e përgjegjësisë së anëtarëve. Njohjen e punës së tyre dhe marrjen e meritës politike. Duke fuqizuar individin, fuqizohet grupimi dhe në fund fuqizohet vetë partia. Mos u merrni me njerëz, por me parime. Asgjë nuk është e mundur pa njerëzit, por asgjë nuk është e qëndrueshme pa institucionet, thoshte Jean Monnet. Këtë jemi përpjekur të bënim, të ndërtojmë gjëra që na mbijetojnë dhe sot jemi shembulli më i mirë i kësaj gjëje në kalimin e stafetës tek drejtimi i ri. Mos ju përgjigjuni sulmeve. Vetëm Zoti e di se sa sulme të padrejta kemi marrë, fatkeqësisht edhe shpesh edhe nga vendi, nga brenda vetë Partisë Demokratike.
Tundimi për t'ju përgjigjur ka qenë i madh. Por kemi rezistuar dhe kjo është në nderin e të gjithë anëtarëve të departamentit Brain Gain. Asnjë konflikt nuk është ushqyer prej nesh, asnjë demokrat nuk është sulmuar prej nesh, ndoshta edhe kur ata e meritonin. Është thelbësore të dalim nga cikli i urrejtjes, brenda të cilit i gjithë vendi ynë ka rënë. Kjo bëhet duke lëshuar rrugë, duke treguar rrugë, duke ecur vetë në atë rrugë. Kjo bëhet duke krijuar ritmin që duhet ndjekur. Politika është dinamikë dhe ritëm. Nuk duhet të pësojmë ritmin e të tjerëve sepse na bën ndjekës. Kjo do të thotë në mënyrë krejt paradoksale, se jo të gjitha betejat duhen bërë. Vetëm duke krijuar ritëm dhe dinamikë të vetën, kundërshtari del nga llogorja dhe bëhet i cënueshëm. Këtë jemi munduar të bëjmë duke krijuar dinamika pozitive, optimiste dhe ndërtuese për Partinë Demokratike. Lidhja midis brezave është fryma që na ka ndjekur në çdo hap. Kemi lartësuar rëndësinë e kujtesës në formësimin e identitetit e identitetit, më falni, politik që kemi, por edhe që çdo demokrat duhet të ketë.