'Pa ujë prej ditësh'/ Banorët e Vlorës: Jemi në prag të një epidemie, tenderat miliona euro i ka marrë bashkia

Vlora ka hyrë në ditën e pestë pa furnizim me ujë të pijshëm, duke nxitur revoltë dhe protesta të forta qytetare para godinës së Bashkisë. Banorët e qytetit dolën në rrugë duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme, ndërsa paralajmëruan rrezik serioz për shëndetin publik dhe shpërthim epidemish.

Gjatë protestës, qytetarët u shprehën se situata ka kaluar çdo kufi durimi, duke kërkuar ose shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në qytet, ose dorëheqjen e kryetares së bashkisë.

Sipas tyre, Vlora ndodhet në alarm të plotë pas pesë ditësh pa ujë, ndërsa institucionet janë kufizuar vetëm në deklarata dhe propagandë.

Protestuesit theksuan se prej katër ditësh qytetarëve u janë servirur vetëm premtime dhe justifikime për ardhjen e pjesëve nga jashtë vendit, ndërkohë që për investime të mëparshme janë tenderuar miliona euro pa asnjë rezultat konkret. Ata akuzuan Bashkinë dhe institucionet vartëse për keqmenaxhim të rëndë dhe mungesë totale përgjegjësie.

“Ka vetëm propagandë. Pjesët janë tenderuar me miliona euro, por sot Vlora është pa ujë. Jemi në prag të një epidemie”, u shpreh njëri prej qytetarëve gjatë protestës.

Në kulmin e revoltës, para Bashkisë u dëgjuan thirrje të vazhdueshme për dorëheqjen e kryetares, ndërsa institucioni u cilësua nga protestuesit si “bashkia e turpit”, përgjegjëse për degradimin e qytetit ndër vite.

Ata theksuan se Vlora është lënë pa rrugë, pa ujë dhe pa kanalizime, duke humbur identitetin dhe dinjitetin e saj.

Banorët kërkuan ndërhyrje urgjente të autoriteteve shtetërore, përfshirë prefekten, ministritë përkatëse dhe strukturat e emergjencës, për të marrë në dorë situatën dhe për të garantuar furnizimin normal me ujë.

“Ne nuk jemi militantë dhe as të ardhur nga qytete të tjera.

Jemi vlonjatë, bij të këtij qyteti dhe kërkojmë vetëm një të drejtë themelore: ujin”, u shprehën protestuesit, duke paralajmëruar se protestat do të vijojnë nëse nuk ka zgjidhje konkrete.