LVV fiton zgjedhjet/ Sadiku: Dështimi i LDK-së kërkon përgjegjësi, Abdixhiku duhet të largohet
Rezultati i zgjedhjeve të fundit ka shkaktuar një tërmet politik brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke nxitur thirrje të forta për marrjen e përgjegjësisë nga ana e kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku. Partia ka pësuar një rënie drastike, duke humbur një numër të konsiderueshëm vendesh në parlament.
I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” me gazetarin Flavio Qarri, Kron Sadiku, gazetar, u shpreh se rezultati i zgjedhjeve të fundit ka dëshmuar një dështim serioz të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe nevojën për marrje përgjegjësie brenda partisë.
Sipas tij, rënia e ndjeshme e përfaqësimit parlamentar ka nxjerrë në pah mungesën e reformimit të brendshëm dhe pamundësinë e lidershipit aktual për ta rikthyer LDK-në si forcë të rëndësishme politike, duke e bërë të domosdoshme një reflektim të thellë dhe ndryshime në drejtim. Ai shtoi se, përballë kësaj gjendjeje të opozitës, kryeministri Albin Kurti ka përfituar nga mungesa e një alternative serioze dhe ka arritur ta ruajë epërsinë politike, gjë që e bën edhe më të domosdoshëm reflektimin dhe ndryshimin brenda partive opozitare.
Pjesë nga deklarata:
Lumir Abdixhiku duhet të shkojë në shtëpi, duhet të marrë përgjegjësi, sepse në zgjedhjet e shkurtit Lumir Abdixhiku i kishte 20 vende, ndërsa tani ka rënë në 13.59 për qind, pra në 13 ulëse nga 20. Kjo tregon se LDK-ja është jashtë loje sa i përket fuqisë politike brenda Parlamentit të Kosovës. Realisht, Lumir Abdixhiku ka ardhur në LDK për ta ngritur këtë parti.
Realisht, unë kurrë nuk kam menduar se Lumir Abdixhiku mund ta çojë përpara LDK-në, në asnjë moment. Nuk besoj se, edhe në sfond, po shihet ndonjë opozitë e rrezikshme politike për Albin Kurtin, edhe pas katër viteve, nëse vazhdon ky trend. Pra, Flavio, megjithëse ti më pyete, është shumë e diskutueshme nëse partitë mund ta kapin hapin.
Duke marrë parasysh se këtu nuk kemi kryesi apo udhëheqje partish që tentojnë ta përfshijnë gjeneratën e re dhe t’u qëndrojnë prapa derisa ata të arrijnë maturimin politik. Thjesht, i shohin edhe të rinjtë si opozitë politike dhe, për këtë arsye, dështon reformimi i partive politike.
Dorën në zemër, duhet t’i jepet një kompliment Partisë Demokratike të Kosovës, e cila sot qëndron e dyta. Pavarësisht se edhe ajo është pjesë e debaklit, ka arritur të krijojë një reformim të brendshëm dukshëm dhe qartazi më të mirë se LDK-ja.