Lautaro Martinez: Ishte një përballje e drejtpërdrejtë, jam i kënaqur sepse zhvilluam një ndeshje shumë të mirë

Pas fitores së rëndësishme të Interit ndaj Atalantës, Lautaro Martinez u shfaq i buzëqeshur dhe i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, duke nënvizuar peshën e madhe që kishte ky takim për renditjen. Sulmuesi argjentinas ishte protagonisti absolut i sfidës, duke realizuar golin vendimtar pas asistit të Pio Espositos dhe duke u dhënë zikaltërve kryesimin në klasifikim.

“Ishte një përballje direkte. Atalanta është një skuadër e fortë, një ekip që duhet respektuar dhe që duhet përballuar me përgatitjen e duhur. Jam shumë i kënaqur, sepse zhvilluam një ndeshje shumë të mirë dhe po punojmë në mënyrën e duhur”, u shpreh Lautaro pas takimit. Kapiteni i Interit theksoi se kjo fitore është edhe një dhuratë për tifozët dhe familjet e lojtarëve, të cilët i mbështesin vazhdimisht.

Një vlerësim i veçantë shkoi për Pio Espositon, autorin e asistit vendimtar. “Kam folur shpesh për të. Është një djalë që punon shumë, ka dëshirë të mësojë dhe të bëjë mirë. Kjo është pjesë e rritjes së tij. Duhet të qëndrojë i qetë dhe të ketë mundësinë të gabojë, ashtu siç kemi gabuar edhe ne kur ishim të rinj. Është i ri, është italian dhe do të na japë kënaqësi të mëdha neve dhe Kombëtares italiane”, tha Lautaro.

Sa i përket gjendjes fizike, sulmuesi argjentinas u shpreh optimist: “Ndihem mirë. Sezonin e kaluar e përfundova shumë keq për shkak të dëmtimit në fleksor, por tani jam në gjendje të mirë. Konkurrenca brenda ekipit është e fortë, të gjithë shtyjnë shumë dhe kjo të detyron të rrisësh nivelin. Duhet të jesh gjithmonë në lartësinë e duhur”.