Andoni: Pa kompromis për presidentin, Kosova shkon sërish në zgjedhje
Fitorja bindëse e Lëvizjes Vetëvendosje mund të jetë jetëshkurtër, teksa vendi rrezikon të hyjë në një krizë të re politike për shkak të pamundësisë për të zgjedhur presidentin e ri. Rezultatet e zgjedhjeve lokale në Kosovë sinjalizuan një mbështetje të fortë popullore për Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti, duke konfirmuar dëshirën e një pjese të madhe të elektoratit për vazhdimësinë e një qeverisjeje që mban lart sloganin "asnjë kompromis".
I ftuar në edicionin informativ të lajmeve në Syri TV me gazetarin Edvin Parruca, analisti Ben Andoni paralajmëroi se, edhe pse Lëvizja Vetëvendosje ka arritur një fitore bindëse në zgjedhjet lokale, mungesa e votave për zgjedhjen e presidentit rrezikon ta fusë Kosovën sërish në një krizë institucionale.
Ai theksoi se Albin Kurti përballet me një dilemë të vështirë: të lëshojë pe ndaj opozitës për të garantuar stabilitetin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit, ose të mbajë një qëndrim të ngurtë, duke rrezikuar shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Pjesë nga deklarata:
Shikoni, brenda fillimisht është një trik shumë i zgjuar që ka bërë Vetëvendosja për këtë proces, por është edhe trend. Duhet ta pranojmë që Vetëvendosja, realisht me politikat e saj, me antropologjinë e vet politike, e njeh shumë mirë elektoratin kosovar dhe sidomos atë të diasporës. Ju e dini tashmë që diaspora e Kosovës është mjaft e madhe, është një komunitet shumë i gjerë dhe është një komunitet i cili, duke i parë gjërat në mënyrë makro, voton për zotin Kurti dhe politikat e tij, që për hir të së vërtetës janë politika sovraniste. Ndërsa pjesa e brendshme e Kosovës duket se ka qenë skeptike dhe në këto ditë të fundit ka edhe një problem të madh.
Kosova ka një trend të përhershëm, sidomos në ditët e fundit të vitit, dhe veçanërisht tani që është liberalizuar procesi i vizave, që qytetarët të kalojnë kohë me familjarët e tyre mërgimtarë, kudo që janë të shpërndarë në Europë. Diaspora e tyre është më e madhe, kam këtë përshtypje.
Por, më besoni, Kosova po afrohet drejt një krize të re dhe do ta shohim këtë që në fjalimin e zotit Kurti në mbylljen e procesit. Ai duhet të jetë jashtëzakonisht i kujdesshëm, sepse në dy votimet e fundit ka qenë shumë agresiv në fjalën e tij dhe i duhet të luajë shumë mirë, pavarësisht se tani i ka votat për të bërë qeverinë dhe për të konstituuar parlamentin. Problemi është i madh, sepse këto vota nuk mjaftojnë për zgjedhjen e presidentit. Automatikisht, Kosova kalon menjëherë në zgjedhje të tjera të parakohshme.
Pas prillit, brenda rreth një muaji, Kosova hyn në procedurat e KQZ-së për paraqitjen e strukturave të koalicioneve dhe mënyrën se si do të votohet për presidentin. Nëse Vetëvendosja nuk e merr parasysh këtë hap, që do të thotë të lëshojë pushtet, pra të lëshojë pe për të mbajtur pushtetin, unë besoj se Kosova do të kalojë në një krizë të re. Uroj që të mos jetë një krizë si ajo bullgare, e cila nga jashtë, sidomos nga diaspora, mund të interpretohet si procedurë demokratike, sepse demokracia është procedurë, por për Kosovën, më besoni, nga kriza mund të kalohet në krizë.
Megjithatë, Vetëvendosja ua tregoi edhe PDK-së, edhe LDK-së, si parti kryesore në Kosovë, se politikat që ka ndjekur janë politika që shkojnë me njerëzit në Kosovë. Personalisht kam shqetësimin se në Kosovë po krijohet një shtet autoritar, ashtu si në Tiranë, ashtu si në Beograd, më pak në Maqedoninë e Veriut, ku ka problematika të tjera, e kështu me radhë.
Duhet pasur parasysh që zoti Kurti ka qenë një nga kundërshtarët më të mëdhenj, gjatë kohës kur ishte në opozitë, ndaj përdorimit të elementëve të tillë në votime. Ne kemi rastin e Shqipërisë, ku objekte shtetërore janë përdorur dhe kanë favorizuar votimet për Partinë Socialiste. Tashmë në Kosovë këto fenomene po bëhen evidente nga Vetëvendosja. Personalisht unë e besoj këtë, sepse autoritarizmi i majtë është bërë tashmë pothuajse fenomen në Europën Qendrore dhe Lindore.
Ajo që më shqetëson më shumë është qasja ndaj pushtetit nga shqiptarët, edhe në një shtet të ri siç është Kosova, si dhe zhgënjimi i madh nga alternativat e tjera politike. Alternativa si PDK-ja dhe sidomos LDK-ja. LDK-ja, në këto zgjedhje, mendoj se është humbësja më e madhe. Së pari, sepse janë zgjedhjet e dyta të përgjithshme ku zoti Abdixhiku pëson një humbje të ndjeshme. LDK-ja është formacioni politik më i vjetër dhe më i konsoliduar në Kosovë, dikur me bazament shumë të fortë. Ata fituan zgjedhjet menjëherë pas luftës dhe gëzonin respekt të madh në Kosovë, ndërsa sot janë një forcë politike që nuk është më faktor.
PDK-ja duket se po mban një trend, por jo shumë të madh, dhe është shfryrë ndjeshëm. Fitore interesante ka bërë zoti Haradinaj. Me mundësitë e veta, i shkëputur nga Nisma, ai ka arritur rreth 7 përqind, ndërsa në zgjedhjet e kaluara, bashkë me Nismën, ishte po rreth kësaj shifre. Humbësja kryesore është Nisma, e cila nuk i ka përmbushur objektivat e saj. Në zgjedhjet e kaluara ishin shumë afër një koalicioni me Vetëvendosjen, por kërkesat e tyre ishin të tepruara, siç ndodh shpesh me partitë e vogla.
Në orët në vazhdim, do të kemi parasysh sjelljen shtetare të autoriteteve vendore të Vetëvendosjes. Më ka shqetësuar fakti që kryetari i Mitrovicës së Jugut, zoti Baton Peci, ka bërë një lloj qesëndie ndaj opozitës. Edhe zonja Gërvalla është shprehur jashtëzakonisht entuziaste. Pres që zoti Kurti të jetë shumë i kujdesshëm në fjalimin e tij, sepse nga ky fjalim dhe nga retorika që do të përdorë, do të varet e ardhmja e institucioneve të Kosovës.
Parashikoj sërish bllokime institucionale dhe mbetet të shihet pas disa javësh se si do të realizohen balancat për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Me pak fjalë, pas ditës së sotme, zotit Kurti i duhet të lëshojë pak pushtet, megjithëse ka dalë më mirë se në shkurt, në mënyrë që Kosova ta lërë pas krizën dhe të ketë mundësi për një mandat të plotë katërvjeçar, me një bazë më të gjerë qeverisëse.
PDK-ja ka lëvizur drejt ideologjisë së djathtë, ndërsa më parë ka qenë e majtë, dhe e ka më të afërt një aleancë me Vetëvendosjen. Ndërsa LDK-ja, që është një parti e djathtë e mirëpërcaktuar ideologjikisht, duhet të qëndrojë e tillë dhe të mendojë realisht për politikat e së ardhmes, sidomos ato ekonomike.
Sa i përket veriut, vënia e kontrollit është relative. Për arsye se Kosova, çfarëdo që të thuhet, e ka autoritetin në veri. Në momentin që merr të ardhura nga doganat dhe ajo zonë është pjesë e hartës territoriale dhe gjeografike të shtetit, atëherë Kosova ushtron autoritet. Sigurisht, bëhet fjalë për një zonë me minoritete dhe sidomos me minoritete problematike.