4 ditë pa ujë/ Vlonjatët vijojnë protestën, thërrasin qytetarët ditën e nesërme para bashkisë

Qytetarët e Vlorës, të pakënaqur me mungesën e ujit të pijshëm që vijon prej rreth katër ditësh, kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave. Ata bëjnë thirrje për një tubim masiv nesër në orën 10:00 përballë Bashkisë së Vlorës, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme.

Protesta e sotme shpërtheu si reagim ndaj ndërprerjes së vazhdueshme të furnizimit me ujë, ku qytetarët u detyruan të marshojnë drejt institucioneve dhe të shprehin shqetësimin e tyre për situatën e papranueshme. Banorët kërkojnë përgjegjësi dhe masa konkrete nga kryetarja e bashkisë dhe zyrtarët e ngarkuar me këtë shërbim, duke paralajmëruar se do të vazhdojnë të mobilizohen deri sa problemi të zgjidhet.

Qindra banorë të Vlorës kanë rrethuar gjatë mbrëmjes së sotme teatrin Petro Marko, aty ku bashkia po festonte për festat e fundvitit.

Qytetarët kanë hapur portat e teatrit dhe janë futur brenda, duke lëshuar thirrje të forta kundër qeverisë.