'Koalicione të mundshme'/ Saiti: Emigrantët rritën pjesëmarrjen, procesi i qetë...

Dita e zgjedhjeve në Kosovë po zhvillohet në një atmosferë të veçantë, e ndikuar fuqishëm nga ardhja masive e mërgatës. Mbi 500,000 qytetarë nga diaspora kanë ardhur në atdhe, duke kombinuar festat e fundvitit me ushtrimin e të drejtës së votës, një lëvizje që po ndryshon dinamikën e procesit zgjedhor.

Në një intervistë për edicionin informativ të lajmeve me gazetaren Eneida Ndoci, gazetari Gazment Saiti theksoi se ardhja masive e mërgatës në Kosovë ka ndikuar drejtpërdrejt në atmosferën dhe dinamikën e zgjedhjeve, duke sjellë një rritje të dukshme të pjesëmarrjes së votuesve, pa krijuar tensione apo tentativa për manipulim të procesit zgjedhor.

Sipas tij, pavarësisht fluksit të lartë të votuesve, procesi është zhvilluar i qetë dhe i rregullt, ndërsa ndikimi elektoral i diasporës pritet të reflektohet në rritjen e disa subjekteve politike dhe në dobësimin e të tjerave, duke e bërë të pashmangshëm skenarin e koalicioneve paszgjedhore.

Pjesë nga deklarata:

Shiko, ardhja e emigrantëve ka ndryshuar paksa atmosferën e zgjedhjeve, duke pasur parasysh që afër është 9 shkurti, sepse janë mbi 500 mijë persona që kanë ardhur nga emigrimi për të qëndruar kryesisht për festat e fundvitit, por natyrisht edhe për të votuar. Kjo gjë ka ndikuar dhe ka sjellë një fluks goxha të lartë të votuesve, krahasuar edhe me zgjedhjet e tjera.

Nuk është çështje vetëm e 9 shkurtit, por natyrisht edhe zgjedhjet e kaluara kanë qenë të tilla, si për shembull ato të 28 korrikut, apo gjatë festave të fundvitit, dhe kjo pjesë ka ndikuar që të ketë një frymë paksa më të shtuar në ndikimin e votave. Por ajo që është normale në Kosovë është se nuk ka tentativa për manipulime apo grumbullime në qendrat e votimit dhe kjo nuk ndikon absolutisht te zgjedhësit, por natyrisht as te komisionerët, të cilët janë normalisht të akredituar në këto qendra votimi.

Ajo që mund të them për Prizrenin është se deri në orën 15:00 ka një përqindje jo shumë të lartë të votuesve, diku rreth 29.96%, në mos gaboj, dhe kjo shifër, krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit, është paksa më e lartë. Mirëpo ajo që është më e dukshme është se në orët në vazhdim, pra pas orës 17:00, pritet të ketë një numër shumë më të lartë votuesish krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit.

Megjithatë, ajo që shikojmë deri tani është një qetësi e qytetarëve. Nuk ka një agravim të situatës; qytetarët shkojnë, përmbushin detyrimin e tyre për të votuar dhe më pas shpërndahen normalisht në shtëpitë e tyre.

Ajo që mund të themi është se në këto zgjedhje mund të diskutohet sërish për një mundësi koalicioni, sepse nga ajo që shoh nga afër, mund të ketë një rritje të përqindjes së Lëvizjes Vetëvendosje, bazuar në takimet që kam pasur me qytetarë të ndryshëm. Megjithatë, besoj se Vetëvendosje nuk do të arrijë ta formojë qeverinë e vetme, për faktin se numri i deputetëve që mund të arrijë është diku rreth 52 ose 53. Ky numër nuk është i mjaftueshëm që Albin Kurti ta formojë qeverinë i vetëm.

Megjithatë, ajo që pritet janë orët në vijim, sepse votuesit që mund të kenë ardhur sot nga emigrimi janë të lodhur dhe mund të ketë një fluks më të shtuar më vonë, gjë që mund ta ndryshojë këtë përqindje dhe ta rrisë numrin e votuesve për qeverinë aktuale.

Por ka edhe një rritje goxha të madhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Nuk mund të them të njëjtën gjë për Partinë Demokratike, sepse me deklaratat e fundit të përfaqësuesve të saj politikë, mund të themi se ajo mund të ketë hyrë paksa në regres. Kjo ka ndikuar negativisht, sidomos për shkak të fjalorit të përdorur, shpeshherë vulgar, në drejtim të qytetarëve dhe konkretisht ndaj femrave. Është krijuar një frymë mjaft konfliktuale edhe te qytetarët, si pasojë e deklaratave të disa përfaqësuesve të lartë politikë të Partisë Demokratike, jo domosdoshmërisht nga kryetari, por nga individë të tjerë të caktuar, të cilët gjatë fushatës apo takimeve elektorale kanë përdorur gjuhë jo të denjë për një përfaqësues politik.

Kjo gjë, krahasuar me zgjedhjet e kaluara, mund të sjellë një epërsi më të madhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës në raport me Partinë Demokratike. Ajo që mund të them është se Lëvizja Vetëvendosje ka një epërsi; në zgjedhjet e kaluara ishte diku rreth 42%, ndërsa në këto zgjedhje mund të shkojë ndoshta deri në 45–45.5%. Por kjo nuk është e mjaftueshme për të formuar qeverinë e vetme, ndoshta edhe duke iu bashkuar partitë e vogla.