Mbyllen qendrat e votimit në raundin e parë në Myanmar, rezultatet përfundimtare publikohen në shkurt

Rezultatet përfundimtare pritet të shpallen deri në shkurt, pasi të përfundojnë dy raunde të tjera votimi, por fletëvotimi po kritikohet gjerësisht dhe po cilësohet si një mashtrim.

Faza e parë nga tre fazat e votimit u mbyll të dielën në Myanmar, në zgjedhjet që vijnë gati pesë vjet pasi ushtria mori pushtetin me një grusht shteti në vitin 2021.

Raundi i parë i votimeve u hap të dielën në mëngjes në 102 nga 330 komunat e Myanmarit, ndërsa faza e dytë dhe e tretë do të zhvillohen përkatësisht më 11 dhe 25 janar.

Rezultatet përfundimtare pritet të shpallen deri në shkurt, pasi të kenë përfunduar dy raunde të tjera votimi, por fletëvotimi po kritikohet dhe po hidhet poshtë gjerësisht pasi partitë kryesore politike u shpërbënë, udhëheqësit u burgosën dhe gjysma e vendit nuk mori pjesë për shkak të një lufte civile që po vazhdon.

Sipas Kombeve të Bashkuara, më shumë se 3.6 milionë njerëz janë zhvendosur në luftën që pasoi.

Vëzhguesit thonë se junta, me mbështetjen e fqinjëve si Kina, India dhe Tailanda, po kërkon të legjitimojë pushtetin e saj ndërsa kërkon një rrugëdalje nga ngërçi shkatërrues.

Qeveria ushtarake e ka paraqitur votimin si një kthim në demokracinë zgjedhore, por përpjekja e saj për legjitimitet është dëmtuar nga ndalimet e partive të opozitës, të cilat më parë ishin të njohura, dhe raportet se ushtarët kanë përdorur kërcënime për të detyruar votuesit të marrin pjesë.

Khin Marlar, 51 vjeç, e cila votoi në një qendër votimi në komunën Kyauktada të Yangonit, tha se ndjeu nevojën të votonte sepse shpresonte që paqja të pasonte më pas. Ajo shpjegoi se ishte larguar nga fshati i saj në qytetin Thaungta në rajonin qendror të Mandalay, për shkak të luftimeve.

«Po votoj me ndjenjën se do të kthehem në fshatin tim kur të jetë paqësore», i tha ajo Associated Press.

San Suu Kyi pas hekurave ndërsa mbahen zgjedhjet

Ndërsa më shumë se 4,800 kandidatë nga 57 parti po konkurrojnë për vende në legjislaturat kombëtare dhe rajonale, vetëm gjashtë po konkurrojnë në të gjithë vendin me mundësinë e fitimit të ndikimit politik në Parlament. Partia e Solidaritetit dhe Zhvillimit të Bashkimit, e organizuar dhe e financuar mirë, me mbështetjen e saj nga ushtria, është padyshim pretendenti më i fortë.

Aung San Suu Kyi, ish-udhëheqësja 80-vjeçare e Mianmarit, dhe partia e saj nuk do të marrin pjesë në zgjedhje. Ajo po vuan një dënim me 27 vjet burg për akuza që konsiderohen gjerësisht si të rreme dhe të motivuara politikisht. Partia e saj, Lidhja Kombëtare për Demokraci, u shpërbë në vitin 2023 pasi refuzoi të regjistrohej sipas rregullave të reja ushtarake.

Ushtria rrëzoi qeverinë e zgjedhur të San Suu Kyi në shkurt të vitit 2021. Ajo e bllokoi partinë e saj Lidhja Kombëtare për Demokraci nga shërbimi i një mandati të dytë, pavarësisht fitores dërrmuese në zgjedhjet e vitit 2020.

 “Një zgjedhje e organizuar nga një juntë që vazhdon të bombardojë civilët, të burgosë udhëheqësit politikë dhe të kriminalizojë të gjitha format e mospajtimit nuk është zgjedhje - është një teatër absurdi i luajtur nën kërcënimin e armëve”, shkroi në X Tom Andrews, eksperti i të drejtave të njeriut i emëruar nga OKB-ja për Mianmarin.

Vendet perëndimore kanë mbajtur sanksione kundër gjeneralëve në pushtet të Mianmarit për shkak të veprimeve të tyre antidemokratike dhe luftës brutale kundër kundërshtarëve të tyre./ Euronews.